Manchester United ekip ëndrrash, në garë për katër trofe

Futboll

Manchester United ekip ëndrrash, në garë për katër trofe

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 15:42
Lojtarët e Manchester United

Manchester United është i parezistueshëm dhe i papërmbajtshëm në këtë sezon.

“Djajtë e Kuq” po luftojnë në katër fronte, në një sezon i cili deri këtu ishte jashtëzakonisht pozitiv për këtë ekip.

Me fitoren e pastër 3:0 ndaj Leicester Cityt në “Old Trafford”, gjiganti britanik e konsolidoi pozitën e tretë në tabelë dhe iu afrua komshinjve të Man Cityt, të cilët tash janë përpara veç tri pikë.

Lideri Arsenal është vetëm pesë pikë përpara, por e ka një lojë më pak të zhvilluar.

E kur ta mendojmë që fillimi i sezonit për United ishte i tmerrshëm me humbjen në shtëpi nga Brightoni dhe me humbjen shkatërrimtare nga Brentfordi, 0:4 në udhëtim.

Sidoqoftë, besimi në trajnerin Erik ten Hag është shpaguar dhe nga humbja prej Aston Villës më 6 nëntor, Man Utd praktikisht nuk është ndalur kurrë: 8 fitore dhe një humbje në 9 ndeshjet pasuese të kampionatit.

Protagonist i madh i ekipit në ndeshjen e fundit me dy gola ishte Marcus Rashford, i cili po kalon nëpër një formë jetësore.

Sulmuesi anglez i ka realizuar 14 gola në Premierligë në këtë edicion, e në total 24 gola, aq sa i kishte realizuar Cristiano Ronaldo në sezonin e kaluar kur ishte në top-formë.

Krahas Premierligës, ekipi nga “Teatri i Ëndrrave” është në garë edhe për tre trofe të tjerë.

Angazhimin e radhës do të ketë në Ligën e Evropës, ku do të përballet në shtëpi me Barcelonën më 23 shkurt, derisa loja e parë në “Camp Nou” kishte përfunduar 2:2 javën e kaluar.

Më pas, ekipin e Ten Hag e pret finalja e Carabao Cup kundër Newcastlet më 26 shkurt, kurse më 1 mars do të përballet me West Ham United në të tetën e finales së FA Cup.

United synon ta mbyllë me trofe të rëndësishëm këtë sezon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat