Agim Ademi: Dokumentari i Ajet Shoshollit, do të mbetet një vlerë e rëndësishme e futbollit

Futboll

Agim Ademi: Dokumentari i Ajet Shoshollit, do të mbetet një vlerë e rëndësishme e futbollit

Nga: K.G. Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 11:29
Pamje nga promovimi i dokumentarit të Ajet Shoshollit

Mbrëmë u shfaq dokumentari për trajnerin e trajnerëve në Kosovë, Ajet Shosholli, me skenarist Leart Hoxha.

Dokumentar domethënës që pasqyronte karrierën 4 dekada të Shoshollit si kryetrajner në Trepçë, Vëllaznim, Prishtinë dhe Shkëndijë të Tetovës, si dhe selektori i parë i kombëtares së Kosovës.

Në hotelin “Emerald” ishin të pranishëm  një numër i madh i emrave të mëdhenj të futbollit, po ashtu kryetari i FFK-së, Agim Ademi, zëvendësministrisja e MKRS Daulina Osmani, drejtori për sport i komunës së Prishtinës, Granit Rugova, nënkampioni i botës në boks në vitin 1978, Mehmet Bogujevci etj.

Ademi iu drejtua të pranishmit, duke thënë se Shosholli është trajner i trajerëve.   

“Pata kënaqësinë të isha prezent në shfaqjen e premierës së dokumentarit “Trajneri i Gjeneratave” kushtuar legjendës së futbollit tonë, Ajet Shosholli. 

Baca Ajet pas vetës ka një karrierë sa të suksesshme po aq edhe sakrifikuese, bujare e përplot krenari. Ai i tregoi vlerat e tij si një njohës i jashtëzakonshëm i futbollit për gjysmë shekulli. 

Me futbollin nisi që në moshën 12-vjeçe në klubin e qytetit të tij, Trepça, por padrejtësitë që bëheshin në atë kohë ndaj shqiptarëve nga politika e kohës dhe pamundësia për të depërtuar tutje, bëri që ai në moshën 26-vjeçare t’i jepte fund karrierës si lojtar, por jo edhe të qëndrojë larg futbollit. 

Baca Ajet në fillim të viteve 70-ta mori thirrjen trajner futbolli, derisa në vitin 1973 mori përsipër drejtimin e Kosovës së Vushtrrisë. Nga aty filloi karriera e tij e suksesshme si trajner, ku me vendosmëri, punë, vullnet e guxim u shndërrua në model për trajnerët e tjerë në vitet pasardhëse. 

Ai udhëhoqi me shumë sukses Trepçën dhe Prishtinën në ligën e atëhershme federative, kurse ishte edhe trajneri i parë i Kombëtares së Kosovës, në kushte e rrethana mjaft të vështira okupimi. 

Baca Ajet punoi pareshtur dhe me pasion të madh për futbollin dhe me të drejtë vlerësohet si “Trajner i Gjeneratave”, pasi kudo ku punoi la gjurmë dhe zbuloi talente të shumta futbolli. 

Dokumentari i sotëm, i cili e pasqyroi vetëm në pika të shkurta karrierën e tij të gjatë e shumë të suksesshme, do të mbetet një vlerë e rëndësishme e futbollit për brezat e ardhshëm. 

Futbolli është më shumë se vetëm sport. Është një mjet për të krijuar ndryshime në shoqëri dhe për të inkurajuar njerëzit të ndjekin ëndrrat e tyre dhe baca Ajet arriti që këtë mesazh ta përcjellë tek gjeneratat e reja në vazhdimësi. 

Historia e tij është frymëzuese dhe inkurajuese për të gjithë ne dhe na dëshmon se me punë dhe përkushtim mund të arrihen shumë gjëra. 

Bacës Ajet i dëshiroj shëndet e jetë të gjatë, derisa brezat e rinj i inkurajoj të frymëzohen e mësojnë nga kjo histori e suksesshme e tij”, ka thënë Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat