Xavi: Në “Old Trafford” për fitore

Futboll

Xavi: Në “Old Trafford” për fitore

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 20:52
Xavi

“Old Trafford” do të mirëpresë përballjen e dytë vendimtare mes Manchester United dhe Barcelonës.

Sfida e parë në “Camp Nou” dhuroi emocione të mëdha për të gjithë tifozët e futbollit, por në fund gjithçka përfundoi në barazim 2-2.

Tani akti i dytë i finales së parakohshme do të luhet në ishull, me synimin e njëjtë për të dyja skuadrat, kualifikimi në raundin  e 1/8-ve të Europa League.

Katalanasit, në këtë përballje vijnë me disa mungesa të rëndësishme si Pedri, Gavi dhe Dembele.

Por për trajnerin Xavi Hernadez, Barcelona ka gjithçka për t’u kualifikuar.

“Kjo është një lojë. Stadiumi është i mrekullueshëm dhe atmosfera do të jetë e tillë.

Të dyja skuadrat janë në formë të mirë, por ne nuk do ta kemi aspak të lehtë. Kemi përballë Man United, një nga klubet më në formë për momentin në Europë.

Gjithsesi, ne jemi të motivuar dhe përballë United do të shfaqim versionin më të mirë të Barcës“.

Më tej, numri një i pankinës së Barcelonës në konferencën për shtypin theksoi se sipas tij do të jetë një ndeshje e ngjashme si ajo në “Camp Nou”.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje e ngjashme si ajo e para.

United mund të ushtrojë më shumë presion për arsye se ata luajnë në shtëpi.

Neve do të na duhet të mbrohemi mirë.

Moduli i lojës do të jetë i njëjtë. Nuk do të kemi në dispozicion Pedrin, Gavin dhe Dembele, por ne sërish mund të fitojmë.

Jemi të motivuar dhe do të japim gjithçka për të fituar. Në ‘Old Trafford’ do të jetë një ndeshje e zjarrtë“.

Sfida e dytë vendimtare mes Barcelonës dhe Manchester United do të zhvillohet të enjten në orën 21:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat