I mungojnë golat

Futboll

I mungojnë golat

Më: 2 mars 2023 Në ora: 23:18
Manchester Utd

Barometri më i mirë për të vlerësuar një sulmues është numri i golave.

Megjithëse, ndodh shpesh, që roli i sulmuesit të marrë një dimension krejtësisht tjetër, siç ishte rasti i Olivier Giroud me kombëtaren e Francës në Botërorin e 2018.

Në Kupën e Botës, në Rusi, sulmuesi i “Gjelave” jo vetëm që nuk gjeti rrugën e rrjetës, por nuk goditi asnjëherë dhe kuadratin e portës.

Megjithatë, pas suksesit në Botëror, Giroud ishte një nga lojtarët më të vlerësuar për shkak të larmisë që i jepte sulmit, presingut, asisteve apo dhe sakrificës për t’u krijuar më tepër hapësira Kylian Mbappesë dhe Antoine Griezmannin.

Një rol të tillë ka marrë së fundmi dhe Wout Weghorst te Manchester United.

Deri më tani, holandezi ka shënuar vetëm një gol, atë në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës ndaj Nottingham Forestit, kur fitorja ishte siguruar, megjithatë 30-vjeçari ende nuk është zhbllokuar në Premier League.

Ish-tekniku i Ajaxit i ka dhënë një detyrë ndryshe bashkëkombësit të tij në krahasim me sulmuesit që ka aktivizuar këtë sezon si Anthony Martial apo Cristiano Ronaldo.

Wout Weghorst ka shërbyer shkëlqyeshëm si një “target man”, por është provuar edhe si një numër 10 ndaj Barcelonës në sfidën e parë në “Camp Nou”.

Holandezi ka spikatur me presingun e lartë, zbritjet e shpeshta për të krijuar hapësira për Rashford dhe Antony në vrapimet pas shpine dhe asistimet.

Weghorst është shfaqur mjaft rezultativ në detyrën e re në skuadër, një rol i ri me ato që është mësuar në eksperiencat pararendëse si tek Wolfsburgu, Burnley apo Besiktasi.

Weghorst mori superlativa për paraqitjen në finalen e Kupës së Ligës ndaj Newcastle, ku shërbeu Rashford për golin e dytë. Një gol ku 30-vjeçari u tërhoq shumë mbrapa për marrjen e topit dhe më pas gjeti bukur anglezin me një pasim penetrues në zonë.

Përpos kësaj, Weghorst ishte aktiv dhe në ndërtimet e aksioneve të shpeshta sulmuese, por dhe në fund të ndeshjes ishte një nga lojtarët që kishte shpenzuar më tepër kilometra.

Protagonizmi më i fundit i tij ishte në përballjen e raundit të 5-të të FA Cup ndaj West Ham, ku kontribuoi në të tre golat.

Në golin e parë, Weghorst detyroi mbrojtësin Aguerd të shkaktonte një autogol, në golin e dytë Garnacho përfitoi pas goditjes së bllokuar të holandezit në zonë dhe në golin e tretë asistoi Fred për hipotekimin e kualifikimit në çerekfinalen e FA Cup.

Huazimi i Wout Weghorst në Old Trafford përfundon në verë. Ndonëse Erik ten Hag vendos ta mbajë në skuadër është një çështje tjetër, por për momentin shtatlarti holandez është lojtari që i duhet sulmit të United për funksionimin e mirë të të gjithë mekanizmave të lojës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat