Kursi i trajnerëve për licencën UEFA C

Futboll

Kursi i trajnerëve për licencën UEFA C

Më: 7 mars 2023 Në ora: 11:40
Pamje nga kursi i trajnerëve

Kursi për trajnerët e licencës UEFA C, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit pas startit në Tiranë do të shtrihet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Sektori i Edukimit në FSHF do të organizojë fillimisht kursin për t’u pajisur me licencën e trajnerit “UEFA C” edhe në qytetin e Fierit më 13 mars, që përfshin zonën e jugut.

Ndërsa më 27 mars ky kurs do të nisë edhe në Shkodër me pjesëmarrjen e të gjithë të apasionuarve pas futbollit që dëshirojnë të bëhen pjesë e botës së trajningut e që jetojnë e punojnë në veri.

Edicioni i UEFA C që do të zhvillohet në Shkodër do të jetë gjithashtu i ndarë në tre blloqe leksionesh e më konkretisht në datat 27-29 mars 2023, 27-29 prill 2023 dhe 29-31 maj 2023.

Në këtë kurs mund të marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë një karrierë në këtë sport.

Kursi i licencës UEFA C është i bazuar në katër shtylla që janë: trajneri, lojtari, ndeshja dhe ambienti, ndërkohë që kjo licencë është edhe baza e trajningut prej nga ku nis edhe rrugëtimi për t’u bërë trajner profesionist.

Të gjithë personat që pajisen me licencën e trajnerit “UEFA C” kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator. Por, edhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.

Aktualisht kursi për licencën UEFA C ka nisur në Tiranë, ndërkohë që do të vazhdojë sipas radhës në Fier e më pas në Shkodër gjatë muajit mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat