Conte: Ju tregoj ndryshimin e madh mes Tottenhamit dhe Milanit

Futboll

Conte: Ju tregoj ndryshimin e madh mes Tottenhamit dhe Milanit

Më: 7 mars 2023 Në ora: 16:10
Conte

Antonio Conte, trajneri i Tottenhamit, ka folur sot në mikrofonat e “Sky” pak orë para ndeshjes kundër Milanit, që vlen një vend në çerekfinale të Champions League, pas suksesit 1-0 të kuqezinjve në ndeshjen e parë.

Trajneri nga Lecce rikthehet në stol pas rikuperimit nga operacioni që e mbajti atë larg skuadrës për dy javë e gjysmë:

“Kanë qenë javë të vështira, shpresoj të jetë hera e fundit.

Të jesh larg nuk është e lehtë, por u përpoqa për të qenë pranë stafit, për të kuptuar se si shkuan stërvitjet, bëra lidhje video me lojtarët.

Kanë qenë dy javë shumë të vështira për mua, padyshim që e nënvlerësova pak operacionin që bëra dhe mbivlerësova aftësinë time për t’u rikuperuar”.

Emocioni i ribashkimit me skuadrën ishte i dukshëm tashmë në konferencën për shtyp:

“Për mua ishte një emocion i madh t’i shihja dhe përqafoja përsëri lojtarët.

Në të gjitha situatat, kur krijohet kjo lloj marrëdhënieje, ekziston dëshira për kontakt dhe për të qenë bashkë.

Falënderoj stafin dhe lojtarët për punën e bërë në mungesën time, nuk ishte e lehtë. Do të përpiqem të përgatitemi për ndeshjen me Milanin në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet të japim gjithçka kemi dhe në fund të mos kemi asnjë pendesë. Nëse Milani është më i mirë, do ta përgëzojmë”.

Për trajnerin italian, Milani është shumë i paparashikueshëm, por muaji i fundit ka qenë pozitiv:

“Para së gjithash ka një ndryshim të madh mes nesh dhe Milanit. Ata janë kampionë të Italisë, ne nuk kemi fituar asgjë. Ndoshta dikush priste që Milani të ishte më afër Napolit në renditjen e Serie A këtë sezon.

Milani është gjithmonë Milan, ndodhet në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve me synimin për të arritur në çerekfinale.

Kur fiton, kupton rrugën që duhet të marrësh.

Kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara, por do të duhet durim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat