Laçi vendos për trajnerin

Futboll

Laçi vendos për trajnerin

Më: 8 mars 2023 Në ora: 13:16
Gentjan Mezani

Gentjan Mezani nuk doli para mediave pas ndeshjes së fundit ndaj Kukësit, pasi humbja e tretë radhazi në shtëpi, dukshëm kishte pezmatuar trajnerin vlonjat dhe drejtuesit e klubit kurbinas.

Duke medituar në pankinë, bashkë me ndihmësit e tij, trajneri i Laçit mund të ketë menduar se kjo ishte ndeshja e fundit që drejtonte skuadrën.

Drejtuesit e klubit kanë qenë të lëkundur për vazhdimësinë me vlonjatin në krye të stolit dhe në orët pas humbjes me Kukësit, shkarkimi ka qenë një nga opsionet më të mundshme.

Megjithatë, një takim mes palëve duket se ka sheshuar disa paqartësi që qëndronin për të ardhmen e Mezanit.

Burime në klub tregojnë se dje trajneri ka marrë besimin nga drejtuesit për të vazhduar i qetë punën dhe të përgatisë në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen që Laçi luan të shtunën ndaj Tiranës në “Elbasan Arena”.

Në orët e fundit ka pasur zëra madje se në rast largimi të mundshëm të Mezanit, trajneri që mund ta pasojë do të ishte Nevil Dede, i cili vetëm pak ditë më parë ndau rrugët me Dinamon.

Megjithatë, zyrtarisht deri më tani nga klubi kurbinas nuk konfirmohet asgjë, përtej faktit se Mezanit i është dhënë një tjetër shans pas tri humbjeve radhazi në kampionat.

Befas Laçi e shikon veten në zonën e ftohtë dhe nëse kampionati do të përfundonte këtu, do t’i duhej të luante një ndeshje shtesë për qëndrimin në elitë.

Të shtunën në 17:00 në Elbasan bardhezinjtë kanë një takim shumë delikat ndaj Tiranës, ku duhet të dalin patjetër me pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat