Nagelsman: Reali na frymëzon për suksesin

Futboll

Nagelsman: Reali na frymëzon për suksesin

Më: 18 mars 2023 Në ora: 12:02
Nagelsman

“E padrejtë” do të ishte termi i duhur për të përkufizuar rivalët e Bajernit në rrugën drejt Stambollit në kuadrin e Ligës së Kampioneve.

Pas sprovës në grupin e ferrit, ku emra të rëndë si Barcelona dhe Interi do të gjendeshin në të, PSG-ja u pozicionua në fazën me eliminim direkt.

Analistët dhe kritikët e futbollit dolën në konkluzione të parakohshme se skuadra e kualifikuar e kishte të hapur rrugën drejt finales. Mirëpo, nëse i hedhim një sy shortit të fundit, vështirë t’i qëndrojmë kësaj hipoteze.

Mançester Siti do të duelojë me rekordmenët gjermanë për një vend në gjysmëfinale. Forma e shkëlqyer e “Qytetarëve” ndaj Lajpcigut me “pokerin” e përbindëshit Haland bëri që e gjithë Europa t’i vendosë në qendër të vëmendjes.

Julian Nagelsman nga kampi i Bajernit do të hapte siparin prononcimet pas njohjes me kundërshtarin në Champions. 35- vjeçari, madje e mori më qetë nga sa pritej, duke gjetur edhe shembullin e duhur se si ata mund t’i shkojnë deri në fund kompeticionit, pa anashkaluar formën fantastike të “përbindëshit” Haland dhe filozofinë e Pep Guardiolës.

Nëse do ta konsideroja veten me fat që duelojmë me Sitin, do të gënjeja.

Kontingjenti i tyre nuk ka nevojë për reklamë, paraqitjet me lojë dhe rezultatet bindëse flasin qartë. Gjithashtu, duhet cekur se rrugëtimi ynë në sezonin aktual të Ligës së Kampioneve ka nisur me pengesa të forta dhe me shumë gjasa do të vijojë e tillë edhe përtej çerekfinaleve. Ecuria e Realit në triumfin e vjetshëm mund të kontribuojë si busulla ideale”, pohonte i emocionuar Julian.

”Kam ndjekur shumë ndeshje kur Pep drejtonte Barcelonën apo kur u transferuan në Mynih. Megjithatë, unë nuk kam kopjuar asgjë prej tij në format e seancave stërvitore apo lëvizjeve taktike.

Çdokush ka idetë e tij dhe ky detaj funksionon në ideologjinë time. Skuadrat ku Pep i ka marrë në dorëzim kanë dhuruar lojë argëtuese, tablo e qartë se çfarë arsenali metodologjik gëzon mbi futbollin 52-vjeçari spanjoll”.

”Futbollist i jashtëzakonshëm dhe tepër i rrezikshëm kur ndodhet në zonën e rreptësisë. Ekstremisht i shpejtë dhe tepër i fortë në goditjet me kokë. Por, i kemi kartat e duhura në prapavijë për t’i bërë ballë një futbollisti të tillë”, shtoi Nagelmani mbi strategjitë se si ata mund ta ndalin shtatlartin norvegjez.

"Çupo-Moting nuk do të jetë i disponueshëm në përballjen e nesërme ndaj Leverkusenit. Problemet në shpinë e bëjnë të pamundur inkuadrimin e tij. Shpresoja se më kalimin e kohës dhimbjet do t’i pakësoheshin, ja që nuk ndodhi kështu dhe duhet ta ndërtoj skemën pa një lojtar të rëndësishëm në fazën ofensive”.

”Hapi fals në këtë moment mbart peshën fatale dhe të gjithë e dimë mirë sesa i vështirë është rikuperimi në sfida të limituara. Diferenca prej dy pikësh nga Dortmund nuk thotë asgjë kur në lojë janë edhe 10 javë të tjera. Leverkusen e ka marrë veten dhe po e tregon se është kockë e fortë.

Fitorja dhe tri pikët janë i vetmi qëllim i yni në transfertën e ‘BayArena’”, përfundoi trajneri i liderëve në Bundesligën gjermane.

Bavarezët do të zbresin në fushën e blertë të dielën ndaj Leverkusenit në transfertë, e vlefshme për javën e 25-të ligën vendëse, ndërsa Dortmundi në pozitën e ndjekësit duelojnë me Këlnin në shtëpi sot mbasdite me shpresën se Bajerni do të gabojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat