Vllaznia merr trajnerin që shpalli kampion Shkupin

Futboll

Vllaznia merr trajnerin që shpalli kampion Shkupin

Më: 4 prill 2023 Në ora: 14:04
Goce Sedloski

Befasi e madhe te Vllaznia në mbrëmjen e djeshme! Largohet Auron Miloti si trajner i parë dhe emërohet 48-vjeçari maqedonas, Goce Sedloski, i cili la Shkupin vetëm në muajin e kaluar. Klubi shkodran ka konfirmuar dje në orën 23:00 të mbrëmjes ndryshimin e trajnerit, duke befasuar jo pak.

Duket si një “deja vu” e sezonit të kaluar, kur fillimisht u shkarkua Tomas Brdariç, ndërsa më pas u emërua provizorisht Elvis Plori dhe sezonin e mbylli në krye të pankinës Mirel Josa.

Një lëvizje e befasishme e presidentit Alban Xhaferi, i cili pas barazimit të fundit me Bylisin, është bindur edhe më shumë që në pankinën kuqeblu duhet një emër me peshë dhe eksperiencë ndërkombëtare.

Duket se Goce Sedloski i plotëson këto kritere, pasi jo vetëm ka shpallur dy herë kampionë Vardarin dhe një herë Shkupin, por ka bërë histori me këtë të fundit në edicionin e kaluar në Europë.

ZYRTARIZIMI “Klubi Futbollit Vllaznia njofton se sapo ka arritur marrëveshjen me trajnerin Goce Sedloski deri në përfundim të sezonit të ardhshëm 2023-2024. Seldoski ka një karrierë të pasur si lojtar, duke luajtur për klube me emër në Europe si Hajduk Split, Dinamo Zagreb, si dhe në Premier Ligen angleze me Shefilld. Si trajner ka fituar trofe, si dhe duke pasur suksese edhe në aventurën europiane me Shkupin, duke luajtur në ‘play off’ të kompeticioneve europiane. Në ditët në vazhdim do t’ju informojmë detaje të mëtejshme në lidhje me organizimin e klubit në funksion të arritjes se objektivave sezonalë”, shkruhej dje në mbrëmje në njoftimin e klubit shkodran pas emërimit të maqedonasit.

“Pak më shumë se 30 vjet më parë, debutonte si lojtar me fanellën e Vllaznisë, duke vijuar më pas një karrierë të suksesshme.

Dje ndërkohë debutoi sërish me Vllazninë, por këtë herë në pankinë dhe pa dyshim që i urojmë Auron Milotit një karrierë të suksesshme edhe si trajner. Forca Vllaznia”, citohej në një shkrim të dedikuar për Auron Milotin në faqen zyrtare të klubit shkodran në rrjetet sociale.

Por çfarë ndodhi 24 orë pas ndeshjes me Bylisin? Miloti nuk është më trajner i Vllaznisë dhe do të spostohet me siguri sërish në postin e drejtorit sportiv. Megjithatë, çdo gjë do të sqarohet në orët në vijim.

Nuk përjashtohet mundësia edhe e mbylljes së bashkëpunimit me Milotin, ndërsa mbetet për t’u sqaruar edhe pozicioni i Vioresin Sinanit, për të cilin u konfirmua detyra e drejtorit sportiv në vend të Milotit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat