Allegri jep versionin e tij të ngjarjeve

Futboll

Allegri jep versionin e tij të ngjarjeve

Më: 12 prill 2023 Në ora: 16:08
Masimiliano Allegri

Masimiliano Allegri, trajneri i Juventusit, ka folur sot në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Sporting Lisbonës edhe për sherrin me Leandro Paredes gjatë stërvitjes së dy ditëve më parë.

Mediat italiane kanë raportuar se trajneri dhe mesfushori janë përballur me tone shumë të ashpra dhe futbollisti ka vendosur që të mos marrë pjesë as në drekën me skuadrën.

Situata është tensionuar për shkak se Paredes thuajse nuk është aktivizuar në vitin 2023 nga tekniku i bardhezinjve, i kaluar në hierarkinë e skuadrës edhe nga shumë lojtarë të rinj. Megjithatë, Alegri sot është përpjekur të minimizojë gjithçka, duke theksuar se e rëndësishme ishte që të gjithë të ecnin në të njëjtin drejtim.

“Kishte një përplasje idesh. Ai ka luajtur më pak në këtë periudhë dhe lojtarët që nuk luajnë, ndjejnë paksa shqetësim.

Por nga ana ime ka besim maksimal dhe unë zgjedhjet i bëj në bazë të asaj që shoh dhe asaj që besoj se do të jetë e vlefshme për skuadrën.

Por të gjithë duhet të ndjehen pjesë e grupit pasi kemi një finale sezoni të rëndësishme para”, theksoi trajneri i Juventusit rreth kësaj teme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat