Vllaznia sfidon Kinostudion në grupin A

Futboll

Vllaznia sfidon Kinostudion në grupin A

Më: 20 prill 2023 Në ora: 16:25
Pamje nga një ndeshje

Kampionati U-16 i vajzave po rezulton mjaft i suksesshëm edhe në këtë edicion të dytë, teksa ka mbyllur javën e gjashtë në të dyja grupet A dhe B dhe kanë mbetur vetëm katër javë nga fundi.

Kampionati po vijon rregullisht, pas disa shkëputjeve për shkak të angazhimeve të vajzave të vogla në radhët e ekipieve kombëtare U-16 dhe U-17 për vajza, në kuadër të turneve europiane që Shqipëria ka mirëpritur gjatë këtyre muajve.

Ndërkaq, e premtja do të ngrejë siparin e javës së shtatë në këtë kampionat, me ndeshje mjaft interesante që spikasin në të dyja grupet.

Vllaznia e vajzave U-16 vijon të kryesojë renditjen në grupin A, me 16 pikë në total, duke marrë pesë fitore dhe vetëm një barazim në gjashtë javë kampionat.

Në ndeshjen e nesërme që do të luhet kundër Kinostudios së vendit të tretë, shkodranet do të kërkojnë tre pikëshin e radhës.

Takimi është planifikuar të luhet në ora 10:00 në kryeqytet.

Nga ana tjetër, Tirana ka një ndeshje të lehtë në letër kundër Egnatias së vendit të fundit ditën e shtunë.

Vajzat bardheblu do të luajnë në kryeqytet takimin e javës së shtatë, ndërsa vlen të përmendet që në ndeshjen e parë, tiranaset shkëlqyen me rezultatin 7-1.

Ndeshja tjetër e grupit A është ajo mes Teutës dhe Elbasanit, një takim ku durrsaket do të kërkojnë të rikthehen te fitorja.

Ndeshjet e javës së shtatë të kampionatit të vajzave, grupi A

Kinostudio – Vllaznia, e premte, 21 prill

Tirana – KF Egnatia, e shtunë, 22 prill

KF Teuta – A.F.F Elbasani, e shtunë, 22 prill

Sakaq, në grupin B, Apolonia nuk njeh kundërshtarë. Fieraket renditen në vendin e parë pas gjashtë javësh, me 18 pikë të plota, teksa ndiqen nga Pogradeci me 3 pikë më pak në vendin e dytë. Kryesfida e kësaj jave të grupit B është pikërisht përballja mes Apolonisë dhe Pogradecit, me ndeshjen që është planifikuar të zhvillohet në qytetin liqenor të dielën e 23 prillit në ora 12:00.

Në takimet e tjera të grupit, Vlora e vendit të tretë ka një ndeshje të lehtë në letër kundër Skënderbeut të vendit të pestë.

Vlonjatet do të kërkojnë të sigurojnë fitoren e dytë radhazi në kampionat, teksa sfida është planifikuar të zhvillohet më 23 prill.

Ndeshja e tretë e këtij grupi është ajo mes Lushnja – Bylis, një takim ku të dyja skuadrat do të kërkojnë të marrin me patjetër tre pikët.

Bylisi nuk e ka bërë ende sefte këtë edicion futbollistik, duke u renditur në vendin e fundit me 0 pikë.  Ndeshja është planifikuar të luhet nesër më 21 prill.

Ndeshjet e javës së shtatë të kampionatit të vajzave, grupi B

Lushnja – Bylis, e premte, 21 prill

FC Vlora – Skënderbeu, e diel, 23 prill

Pogradeci – Apolonia, e diel, 23 prill

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat