Qeveria e Kamerunit kërkesë Interit

Futboll

Qeveria e Kamerunit kërkesë Interit

Më: 20 prill 2023 Në ora: 16:57
André Onana

André Onana ishte protagonist i një prej episodeve më famëkeqe ekstrasportive të Kupës së Botës së kaluar.

Portieri pati një debat të ashpër me Rigobert Song, pasi trajneri i Kamerunit kërkoi që ai të ndryshonte mënyrën e lojës dhe të rrezikonte më pak me topin në këmbë.

Një përplasje që përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme për interesat e “Luanëve të Paepur”. Portieri i Interit u largua para kohe nga “Katar 2022” dhe menjëherë më pas njoftoi tërheqjen përfundimtare nga kombëtarja.

“Çdo histori, sado e bukur të jetë, ka fundin e saj, por zemra ime do të vazhdojë të rrahë për Kamerunin”, deklaro në atë kohë Onana.

Rasti dukej i mbyllur, por për rikthimin e debatit ka menduar Narcisse Mouelle Kombi.

Ministri i Sportit dhe Edukimit Fizik i ka dërguar një letër Interit për të ndërmjetësuar që Onana të mund të kthehet te Kameruni.

“Po ju shkruaj në lidhje me deklaratën e Onanës se largohet nga kombëtarja.

Kjo deklaratë është rezultat i një keqkuptimi me stafin e trajnerëve gjatë Botërorit”, nis letra e Kombit, drejtuar Interit.

“Duke pasur parasysh lidhjen patriotike të Onanës me Kamerunin, ne kërkojmë që këtë portier të talentuar, i cili deri më tani ka qenë një nga hallkat e forta në ekip (Inter), t’i plotësohet dëshira për të vazhduar të përfaqësojë vendin e tij të origjinës, duke e vënë atë në dispozicion sipas nevojës”, vijon Ministri i Sporteve të Kamerunit.

E çuditshmja është se qeveria e Kamerunit ia ka dërguar këtë letër Interit pa u zgjidhur konflikti mes Song dhe Onanës.

Onana ndërkohë vazhdon të shkëlqejë me Interin. Mbi të gjitha, në Champions League. Kamerunasi është portieri që ka bërë më shumë pritje (40) dhe ka më shumë ndeshje pa pësuar gol (6) në këtë edicion të Champions League.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat