Kampionati Kombëtar i Futsallit, të dielën luhet ndeshja e parë e finaleve

Futboll

Kampionati Kombëtar i Futsallit, të dielën luhet ndeshja e parë e finaleve

Më: 22 prill 2023 Në ora: 15:17
Pamje nga një ndeshje

Kampionati Kombëtar i Futsallit 2022-23 ka mbërritur në stacionin e fundit pasi janë përcaktuar edhe dy ekipet finaliste.

Flamurtari Futsal dhe Tirana Futsal do të përballen në duelin e fundit për të shpallur edhe ekipin kampion të këtij sezoni, që duhet thënë se ka qenë një sukses i vërtetë në çdo drejtim, si në rritjen e skuadrave dhe futbollistëve pjesëmarrës, ashtu edhe në aspektin sportiv, duke ngjallur interes dhe emocione në pallatet e sporteve.

Dy finalistet u përcaktuan pas ndeshjeve të turit gjysmëfinal të kampionatit, ku u sfiduan katër skuadrat e renditura në katër vendet e para të klasifikimit. Flamurtari u ndesh me Diamantin, duke mbyllur llogaritë që në dy ndeshjet e para pasi fitoi respektivisht me rezultatet 4-1 dhe 13-3.

E njëjta situatë edhe në çiftin Tirana-Vllaznia, që nuk pati nevojë për ndeshjen e tretë, pasi skuadra kryeqytetase arriti të triumfojë me rezultatin 7-1 në sfidën e parë, ndërsa në duelin e kthimit u deshën penalltitë, me bardheblutë që ishin më të saktë nga pika e bardhë, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 5-5.

Sakaq, edhe finalja Flamurtari-Tirana do të luhet tre ndeshje, teksa e para do të zhvillohet të dielën (23 prill 2023) në Pallatin e Sportit të Vlorës, duke nisur nga ora 19:00. Flamurtari e luan ndeshjen e parë në shtëpi si skuadra që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë të klasifikimit.

Ndeshja e dytë do të luhet në Tiranë me datën 27 prill dhe nëse pas këtyre dy ndeshjeve do të jetë gjithçka në barazim atëherë do të luhet edhe ndeshja e tretë më datë 30 prill në Vlorë.

Ekipet pjesëmarrëse në këtë edicion ishin Eagles Land, Tirana Futsal, Forcat e Armatosura, Vllaznia, Diamant, Olimpik 1 Maji dhe Flamurtari, ndërsa gara u zhvillua me dy faza, me ndeshjet që u luajtën me sistem vajtje-ardhje. Më pas u vijua me fazën e play-off-it për të kulmuar me finalet nga ku do të përcaktohet edhe fituesi i këtij kampionati që do të përfaqësojë Shqipërinë në UEFA Champions League Futsal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat