Asllani po lë gjurmët e tij

Futboll

Asllani po lë gjurmët e tij

Më: 22 prill 2023 Në ora: 16:37
Asllani

Që nga fillimi i saj në fillim të sezonit 2013/’14, “UEFA Youth League” ka ofruar një platformë që talentet e rinj të shkëlqejnë në skenën europiane. Konkurrenca ka dëshmuar se është ajo hapi që shumë lojtarë të rinj të luajnë në garat për të rinj dhe më pas të kalojnë te të rriturit.

Ky sezon ka parë më shumë lojtarë të rinj të talentuar të lënë gjurmë në Ligën e Kampioneve, Ligën e Europës ose Ligën e Konferencës, pasi më parë kishin rënë në sy në kompeticionin U-19.

Një prej tyre është edhe mesfushori kuqezi Kristjan Asllani.

Në përmbledhjen që ka bërë faqja zyrtare e UEFA-s është edhe emri i shqiptarit i cili shkëlqeu në “Youth League” me Empolin dhe më pas luajti në Ligën e Kampioneve me Interin.

“Kristjan Asllani është ende në ‘Champions League’ me Interin. 

Mesfushori shqiptar 21-vjeçar shënoi tre gola në tri ndeshje me Empolin në sezonin e kaluar në ‘Youth League’, por këtë sezon po merr pjesë në kompeticionet elitare të klubeve europiane, deri më tani duke luajtur në pesë ndeshje, përfshirë 90 minutat e plota kundër Bajernit në raundin e gjashtë të ndeshjeve në fazën e grupeve”, thuhet në faqen e UEFA-s.

Sa i përket Asllanit, ai u bë mesfushori i parë kuqezi në histori që arrin një gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, kjo pas kualifikimit që Interi arriti ndaj Benfikës. Më parë rekordin e mbante Berat Gjimshiti me Atalantën në sezonin 2019-2020, duke arritur në çerekfinale.

TALENTËT E TJERË- Mbrojtësi Antonio Silva, 19 vjeç, luajti 10 ndeshje këtë sezon me Benfikën në “Champions”, po ashtu edhe shoku i tij i skuadrës Araujo.

Të dy u shpallën kampion me Benfikën U-19 në “Youth League” sezonin e kaluar.

Ky i fundit shënoi edhe një tripletë në finale. Çelsi mori talentin Mudrik nga Shahtjori na janar. Ukrainasi ka marrë pjesë në dy sezone me të rinjtë, duke luajtur gjithsej 12 ndeshje.

Gjithashtu Kukurela ka shkuar në gjysmëfinalen e “Youth League” me Barcelonën. Po ashtu kanë dalluar edhe Elioti i Liverpulit e Stefan Bajçetiç dhe Emeri i PSG-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat