Gol çdo 58 minuta

Futboll

Gol çdo 58 minuta

Më: 28 prill 2023 Në ora: 12:56
Erling Haaland

Erling Haaland tashmë mban zyrtarisht rekordin e golashënuesit më të mirë të historisë së Premier Ligës në një sezon me 38 ndeshje.

Goli i fundit i sulmuesit të Sitit në fitoren 4-1 ndaj Arsenalit e ngjiti atë në kuotën e 33 golave në kampionat, duke thelluar avantazhin e tij në garën për “Këpucën e Artë”.

Ai gol e dërgoi norvegjezin në krye të listës së golashënuesve më të mirë të historisë së Premier Ligës në formatin aktual të 38 ndeshjeve, i cili mbahej nga sulmuesi i Liverpulit, Mohamed Salah: egjiptiani shënoi 32 gola në sezonin 2017-‘18.

Rekordi më i mirë i të gjitha kohërave mbahet nga Endi Kol dhe Alan Shirer, të cilët shënuan 34 gola në sezonet 1993-‘94 dhe 1994-‘95 të Premier Ligës, por atëherë formati ishte me 42 ndeshje.

Me 7 ndeshje të mbetura në dispozicion, Halandit i duhen vetëm dy gola më shumë për të thyer edhe këtë rekord. 22-vjeçari është duke bërë një sezon ëndrrash debutimi në Premier Ligë, ndërsa ai po rezulton shumë vendimtar në garën e skuadrës së Guardiolës për të siguruar titullin e pestë në 6 sezone dhe të tretin radhazi. Haland e nisi sezonin me 18 gola në 13 ndeshjet e tij të para në Premier Ligë, përfshirë tripletat kundër Kristal Palasit, Notingem Forestit dhe Mançester Junajtidit. Që prej rinisjes së sezonit pas Botërorit, Haland ka vazhduar që të befasojë, duke shënuar tregolëshin e tij të katërt në Premier Ligë kundër Uolvesit në janar.

Ai ka shënuar 8 gola në 8 ndeshjet e tij të fundit në kampionat, ndërsa në total ka shënuar 49 gola në të gjitha kompeticionet e këtij sezoni, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e Premier Ligës, duke thyer rekordin e Rud van Nistelroit në 2002-’03-shin (44 gola) dhe Salahut në 2017-’18- ën, po kaq gola. Ai është gjithashtu shënuesi më i mirë i këtij sezoni në Ligën e Kampioneve, me 12 gola në 8 ndeshje.

Haaland është përfshirë direkt në 57 gola këtë sezon (49 të shënuar dhe 8 asiste) në 45 ndeshjet që ka luajtur në të gjitha kompeticionet, 15 më shumë sesa çdo lojtar tjetër në 5 kampionatet kryesore të Europës. Mesatarisht, ai shënon ose asiston çdo 58 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat