Struga Trim Lum triumfon në Shtip, marshon drejt titullit në Maqedoninë e Veriut  

Futboll

Struga Trim Lum triumfon në Shtip, marshon drejt titullit në Maqedoninë e Veriut  

Më: 30 prill 2023 Në ora: 18:52
Struga Trim Lum

Rezultoi të jetë një transfertë shumë më i lehtë për skuadrën shqiptare Struga Trim Lum, se sa pritej kjo e Shtipit përballë Bregallnicës, ndaj së cilës skuadër në fund regjistruan fitore me rezultat 3:0. 

“Përkundër presionit të pikëve, pas asaj fitore të Shkëndijës gjatë ditës së shtunë, futbollistët tanë zhvilluan një ndër ndeshjet më të mira kundër Bregallnicës në Shtip, ndaj së cilës skuadër regjistrojmë në këtë mënyrë fitoren e katërt, përfshirë këtu edhe atë të Kupës së këtij edicioni, kur në kuadër të ndeshjes çerekfinale, kishim regjistruar fitore 2:0.

Ndryshe fitoren e sotme e paralajmëroi Hristijan Maleski, që kishte marrë besimin e trajnerit Shpëtim Duro për ta nisur ndeshjen si titullarë. Ishte kjo ndeshja e tij e 22-të që e zhvillon këtë edicion me fanellën e Struga Trim Lum dhe e 17-ta si titullarë, ndërsa goli i tij i 7-të, që e rendit atë në mesin e tre golashënuesve më të mirë të skuadrës tonë.

Kur jemi tek golashënuesit, aty prinë Besart Ibraimi, i cili në minutën e 41-të me një goditje të fuqishme nga rreth 25 metrash shënoi edhe golin e dytë për skuadrën tonë dhe të 17-tin në kampionat, me ç’rast prinë bindshëm listën e golashënuesve.

Me këto dy gola u mbyll pjesa e parë, në të cilën veçojmë edhe super mundësinë e Zija Merxhanit në minutën e 32-të dhe tentativën e Ibraimit në minutën e 44-të, kur goditi jashtë kuadrantit.

Pjesën e dytë e nisëm edhe më mirë, pasi vetëm pas dy minutave lojë në këtë pjesë, rezervisti Radeski shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase dhe nga brendia e zonës me një goditje tokazi shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Denkovskit.

Ishte ky goli i parë për Radeskin me fanellën e Struga Trim Lum, skuadër kjo që deri në fund të takimit e administroi mjaft mirë ndeshjen, ndërsa nuk do ishte mëkat nëse nga Shtipi riktheheshim edhe me ndonjë gol të shënuar, pas gjithë atyre rasteve të krijuara minutë pas minute.

Goli i tretë bëri që edhe trajneri Duro në ato momente të besoj tek fitorja, duke i lejuar vetes që në minutën e 61-të, të kryej tre zëvendësime të njëpasnjëshme, duke larguar nga loja edhe sulmuesin kryesor, Besart Ibraimi, vendin e të cilit e zuri Fatjon Jusufi, ndërsa gjithashtu në lojë u inkuadruan edhe Pere në vend të Koçoskit dhe Hogan Ukpa në vend të Zija Merxhanit.

Në mungesë të Ibraimit, fjalën kryesore ne sulm e morri Marjan Radeski, që kishte dy tentative për të mposhtur Denkovskin, ndërsa rastin më të mirë për të shënuar në këtë pjesë e kishte Besmir Bojku në minutën e 87-të, mirëpo Denkovski mjaft mirë e kishte mbyllur këndin nga i cili mund të shënonte lojtari ynë, ashtu që në fund ndeshja u mbyll me shifrat 3:0 në favorin tonë.

Kur kanë mbetur vetëm edhe 3 xhiro, vazhdojmë të kryesojmë renditjen me 59 pikë, 5 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë”, shkruan në faqen e FC Struga Trim Lum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat