Apolonia pret Vllazninë në shtëpi, njihuni me sfidat interesante

Futboll

Apolonia pret Vllazninë në shtëpi, njihuni me sfidat interesante

Më: 12 maj 2023 Në ora: 14:41
Pamje nga një ndeshje

Vetëm dy javë kanë mbetur nga përfundimi i këtij edicioni të 14-të të kampionatit të futbollit të vajzave, teksa këtë të shtunë do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 17-të. Pa dyshim që sfida më emocionuese e javës do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Apolonisë, ndeshje që premton pa dyshim spektakël në fushë.

Shkodranet janë në kërkim të fitores së 15-të radhazi në kampionat dhe titullit të dhjetë kampion. Ndaj Apolonisë së vendit të tretë nuk do të jetë e lehtë, teksa fieraket e renditura në vendin e tretë në kampionat kërkojnë tre pikët ndaj rivales kryesore në futbollin e vajzave. Takimi është planifikuar të luhet në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ në Fier në ora 16:00.

Tirana e vendit të dytë ka një ndeshje të lehtë në letër. Vajzat bardheblu do të presin në kompleksin ‘Skënder Halili’ ekipin e Skënderbeut, që nuk ka bërë shumë mirë gjatë këtij edicioni. Fitorja është obligim për vajzat bardheblu, të cilat kanë tre pikë më pak se Vllaznia e vendit të parë, me të cilën do të përballen në javën e fundit. Sakaq, sfida ndaj Skënderbeut është programuar të nisë në ora 11:30.

Partizani do të udhëtojë drejt Durrësit të shtunën, ku do të jenë mysafiret e Teutës në këtë takim të javës së 17-të. Të kuqet e drejtuara nga trajneri Ylli Shehu kanë gjetur qetësinë me dy fitoret radhazi dhe do të kërkojnë tre pikët e radhës edhe në ndeshjen ndaj Teutës, që do të luhet në aneksin e stadiumit ‘Niko Dovana’ në ora 14:00.

Sakaq, ekipi tjetër kryeqytetas, Kinostudio, do të presë në shtëpi Kukësin. Pritet një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet. Pas disfatës në Shkodër javën e kaluar, për Kinostudion vlen vetëm fitorja dhe tre pikët. Ndeshja do të luhet në Kamëz në ora 15:30.

Laçi – Lushnja është takimi tjetër i javës së parafundit. Laçjanet shihen pa dyshim favorite në këtë ndeshje, ndërsa për Lushnjen ky ka qenë sezoni më negativ, ku në 17 javë nuk ka marrë asnjë fitore dhe asnjë barazim. Takimi është planifikuar të luhet në kompleksin ‘Zmijani’ në ora 14:30.

Ndeshjet e javës së 17-të:

Tirana – Skënderbeu, e shtunë, ora 11:30

Teuta – Partizani, e shtunë, ora 14:00

Laçi – Lushnja, e shtunë, ora 14:30

Kinostudio – Kukësi, e shtunë, ora 15:30

Apolonia – Vllaznia, e shtunë, ora 16:00

Renditja aktuale

Vllaznia 48 pikë

Tirana 45 pikë

Apolonia 36 pikë

Partizani 28 pikë

Kinostudio 24 pikë

KF Laçi 19 pikë

KF Teuta 15 pikë

Skënderbeu 3 pikë

Kukësi 0 pikë

Lushnja 0 pikë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat