Chelsea zgjedh trajnerin e ri

Futboll

Chelsea zgjedh trajnerin e ri

Më: 13 maj 2023 Në ora: 23:23
Mauricio Pochettino

Arrihet marrëveshja e plotë. Mauricio Pochettino do të jetë trajneri i ri i Chelseat, duke filluar nga sezoni i ardhshëm.

Lajmi u konfirmua gjatë mbrëmjes të së shtunës nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, i cili raportoi se çdo gjë është e kryer dhe trajneri argjentinas ka pranuar të marrë përsipër projektin e Bluve të Londrës.

Palët ishin në diskutime që prej muajit Prill dhe vetëm gjatë orëve të fundit Pochettino ka rënë dakord me ofertën tunduese të Todd Boehly.

Gjithsesi, Frank Lampard do të mbetet në krye të skuadrës deri në fund të sezonit dhe më pas do t’i lërë vendin ish-trajnerit të “Spurs” dhe PSG, që do të fillojë punë nga muaji Qershor.

Blutë e Londrës kanë miratuar dëshirën e Pochettinos për t’i lënë zgjedhje të lirë në merkaton e trasnferimeve, diçka që do ta ndihmojë 51-vjeçarin të ndërtojë ekipin e tij me lojtarët e preferuar.

Në fakt, Chelseat do t’i duhet një punë e madhe në verë, aty ku pritet të ketë shumë largime dhe Pochettino duhet të sjellë stabilitet në një skuadër që ka përjetuar sezonin më të dobët që nga viti 1994.

Chelsea është lidhur me shumë emra gjatë verës, duke filluar nga Declan Rice, Lautaro Martinez apo dhe Mac Allister, por duhet të zgjidhë dhe çështjen e rinovimit të Mason Mount apo dhe situatën e komplikuar të Lukakut që do të rikthehet nga huazimi.

Emërimi i Pochettinos tek Chelsea nuk do të pritet mirë nga tifozët rivalë të Tottenham, për shkak të eksperiencës 5-vjeçare të argjentinasit me klubin e “Spurs”, por Blutë e Londrës nuk dëshironin ta humbisnin mundësinë ideale për të vendosur në krye të skuadrës Pochettino, që mbetet padyshim një nga trajnerët më të suksesshëm të viteve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat