Mbijetesa në javën vendimtare

Futboll

Mbijetesa në javën vendimtare

Më: 20 maj 2023 Në ora: 15:26
Pamje nga një ndeshje

Java e 34-të e Superiores mund të jetë përcaktuese sa i takon fundit të renditjes. Kastrioti dhe Bylisi janë në pozitat më të vështira, pasi të dyjave nuk u lejohet asnjë gabim, nëse duan që të mbeten në garë dhe në dy javët e ardhshme.

Krutanët do të ndeshen me Teutën, që tani më tepër se mbijetesa po sheh drejt Europës. Kastrioti ka treguar se di t’i marrë pikë çdo kundërshtari, por një humbje me “Djemtë e Detit” do e shtynte drejt Kategorisë së Parë.

Bylisi, me moral të lartë falë triumfit ndaj Erzenit, luan një finale të vërtetë për mbijetesën me Kukësin. Verilindorët, pasi lanë zonën e play-out pas shumë javësh, në Ballsh do tentojnë një fitore që do i largonte hijet e fundit të tabelës.

Dhe do i duhej të mendonte më pas vetëm për të shmangur edhe vendin e tetë. Ballshiotët synojnë me çdo kusht fitoren, pasi nëse nuk ia dalin dhe Erzeni fiton ndeshjen e tij, matematikisht do të zbresin një kategori më poshtë.

Një skenar i tillë gjithashtu dërgon dhe Kastriotin në Kategorinë e Parë, nëse skuadra e Çelës nuk merr maksimumin. Erzeni luan me Egnatian në transfertë. Shijakasit duan kthesën e madhe.

Dhe për të mos rrezikuar rënien, teksa kanë rrëshqitur deri në zonën e play-out. Kalendari nuk e favorizon Erzenin, që pas Egnatias që luan për Europë, do vizitojë Kukësin.

Verilindorët kanë në dorën e tyre gjithçka, pasi pas Bylisit presin Erzenin në shtëpi dhe në fund luajnë me Egnatian.

Pas suksesit të fundit me Laçin, djemtë e Hallaçit duken të qetë në garën për mbijetesë, ndonëse u duhet dhe një tjetër fitore ndaj rivalëve direkt, për të mos pasur presionin e rënies.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat