Xavi flet për çështjen Vinicius: Duhet të zhdukim njëherë e mirë racizmin nga futbolli

Futboll

Xavi flet për çështjen Vinicius: Duhet të zhdukim njëherë e mirë racizmin nga futbolli

Më: 22 maj 2023 Në ora: 15:09
Xavi

Një sërë personalitetesh reaguan pas akteve raciste të ndodhura në ndeshjen e pasdites së djeshme, mes Valencia e Real Madrid në përballjen e vlefshme për javën e 35-të të Kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga, ku tifozët ta quanin “majmun”, si dhe të talleshin me ngjyrën e tij të lëkurës.

Më i fundit që ka reaguar është dhe tekniku i Barcelona, Xavi, ku edhe pse konsiderohen si “rivalët” historikë të “galaktikëve”, tekniku spanjoll gjatë konferencës për shtyp në prag të përballjes me Valladolid bëri thirrje për të zhdukur një herë e mirë racizmin.

“Në përgjithësi, për fat të keq, ka pasur gjithmonë raste racizmi. Që këto gjëra ndodhin në 2023 është turp. Dua t’i dënoj. Nuk ka rëndësi se cili klub është prekur, nuk ka klube në këto raste. Valencia po kërkon ti identifikojë këta njerëz. Duhet të zhdukim njëherë e mirë racizmin. Problemi është se ofendimi është pranuar. Është i vetmi profesion ku ofendimi pranohet. Nuk shoh bukëpjekës, punonjës fabrike të marrin ofendime në punë. E gjitha kjo duhet të ndalet. Shko ofendoje një punëtor, me siguri do të bjerë një tullë në kokë. Nuk kam pse të duroj ofendimet në orarin e punës. Shfrytëzoj rastin ta them.. duhet thënë mjaftueshëm”,- u shpreh tekniku Xavi.

Më tej gjatë konferencës tekniku i Barça-s u pyet nga gazetarët për mënyrë se si mund të luftohet racizmi, si dhe a është Spanja një vend racist, kjo pas fjalëve që Vinicius Junior tha pas episodit të djeshëm.

“Nuk më takon mua të vendos. Duhet të bashkohemi dhe të jemi të ashpër ndaj racizmit. Është një pyetje edukative. Ju nuk shkoni në një stadium futbolli për të fyer. Unë nuk shkoj në një shfaqje nëse nuk më pëlqen dhe nëse e bëj dhe nuk më pëlqen, po iki.

Nuk duhet të shkosh deri në atë pikë sa të thuash Spanja është raciste, por ka pasur akte racizmi. Duhet ta dënosh dhe të edukosh njerëzit. Jemi në një mjedis ku na shajnë dhe na thonë gjithçka. Është shumë e vështirë të mos reagosh. Ne nuk kemi një mjedis me arsim në botën e futbollit”,- u shpreh Xavi më tej.

Në përfundim të konferencës për shtyp, “numri 1” i pankinës “blaugrana” foli dhe për brazilianin konkretisht, ku tha se fillimisht Vinicius është një njeri si gjithë të tjerët e më pas një futbollist.

“Skuadra nuk llogaritet. Vinicius është një njeri përpara se të jetë futbollist. Duhet të mbrojmë profesionin e futbollit. Nuk e kuptoj si një person, si një qytetar mund të durojë fyerjet”,- u shpreh Xavi në përfundim të konferencës për shtyp.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat