Ish-lojtari: Ja si u zgjidhën problemet në mbrojtje

Futboll

Ish-lojtari: Ja si u zgjidhën problemet në mbrojtje

Më: 23 maj 2023 Në ora: 11:36
Logo e Manchester Cityt

Manchester City festoi titullin e tretë radhazi dhe të pestin në gjashtë vitet e fundit kur skuadra drejtohet nga trajneri Pep Guardiola. Këtë sezon, të besuarit e teknikut spanjoll rrezikuan seriozisht ta humbisnin titullin duke qenë se për pjesën më të madhe të kohës Arsenal ishte në udhëheqje të kampionatit, madje në një moment topçinjtë mbërritën deri në tetë pikë më shumë se The Citizens.

Megjithatë, sipas ish-lojtarit të Manchester United, Gary Neville përmbysja u realizua edhe prej një zhvendosje në aspektin difensiv nga Guardiola. Ish-mbrojtësi theksoi se skuadra aktuale e Cityt është skuadra më fizike që ka drejtuar Pep Guardiola duke u shprehur se ekipi ndryshoi pas largimit të Cancelos në janar dhe spanjolli e rregulloi anën e majtë të prapavijës duke vendosur aty Akanjin apo Ake.

“E kam ndjekur shumë Cityn dhe Guardiola tentoi ta fitonte kampionatin duke luajtur bukur, por me largimin e Cancelos në janar pati probleme në anën e majtë të mbrojtjes.

Guardiola tentoi aty me Bernardo Silvën, por City po pësonte dhe në atë pjesë të fushës kishte shumë hapësira, ndaj u desh të ndryshohej.

Kështu, Guardiola vendosi Akanji apo edhe Ake, duke dalë disi nga stili i tij pasi në fushë janë katër qendërmbrojtës natyral. Kjo e bën këtë City, skuadrën më fizike që ka drejtuar ndonjëherë Guardiola”, u shpreh Neville.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat