Klubi i Keidi Bares bën kallëzim penal për gjyqtarët e La Liga pas rënies

Futboll

Klubi i Keidi Bares bën kallëzim penal për gjyqtarët e La Liga pas rënies

Më: 31 maj 2023 Në ora: 20:41
Pamje nga një ndeshje

Futbolli spanjoll do të përballet shumë shpejt me një situatë shumë të veçantë.

Klubi i Espanjol, i cili ra nga kategoria në këtë edicion, ka bërë gati një dosje për kallëzim penal kundër gjyqtarëve.

Sipas katalanasve, ata kanë kontribuar për t’i larguar nga La Liga me dëme ekonomike e sportive të konsiderueshme.

Espanjol ka qenë i indinjuar për situatën e krijuar në dy ndeshjet e fundit, ku barazoi 3-3 me Atletiko Madrid dhe 2-2 me Valencia, për vendime të dyshimta të gjyqtarëve në fushë si dhe VAR.

Edhe pse ka kërkuar zyrtarisht anulimin e rezultatit teknik të ndeshjes, tanimë klubi ku aktivizohet Keidi Bare po bëhet gati t’i drejtohet edhe drejtësisë civile përveç asaj sportive.

Sipas “AS”, dosja në fjalë do të ketë jo vetëm këto dy ndeshje, por të gjitha rastet e dyshimta të sezonit, të cilat Espanjol mendon se i kanë krijuar një dëm të pariparueshëm ekonomik dhe për të cilat vlerëson se janë përgjegjës gjyqtarët që kanë gjykuar ndeshjet apo personat në sallën e VAR-it.

Te Espanjoli ishin tërbuar më shumë në ndeshjen ndaj Atletikos me golin fantazmë të rezultatit 0-2 për madrilenët, ku nuk dallohej nga asnjë kamera që topi kishte kaluar vijën, por që VAR-i e dha si të tillë edhe pse Grizman nuk festoi.

Gjyqtarët e sfidave të dyshuara do të kërkohet të paraqiten në gjyq si dëshmitarë dhe të shpjegojnë vendimet e tyre që i kanë sjell dëm ekonomik klubit i cili ra në La Liga 2, duke krijuar një precedent të pazakontë në futbollin spanjoll, pasi klube të tjera të pakënaqura mund të ndjekin të njëjtin shembull.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat