Tirana kthehet në fushë

Futboll

Tirana kthehet në fushë

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 12:03
Tirana

Pushimi nuk ishte i gjatë dhe nuk mund të ndodhte ndryshe.

Futbolli profesionist të jep fitime, por edhe të rraskapit dhe ja nënkampionët e Shqipërisë zbritën në fushë për të filluar përgatitjet për sezonin e ri.

Skuadra bardheblu, që ishte gjithashtu finaliste e humbur në Kupën e Shqipërisë, doli në terrenin stërvitor në kompleksin “Skënder Halili”, ndonëse që në nisje ka probleme.

Siç e tregon edhe trajneri Orges Shehi, ka lojtarë me shqetësime fizike, siç janë Kristal Abazaj dhe Regi Lushkja, të cilët punojnë në mënyrë të diferencuar , dhe jo me grupin.

Gjithsesi, lajme të mira janë që futbollistët e afruar së fundmi, janë pjesë e skuadrës. Këta janë portieri Selmani dhe futbollisti tjetër Kaina. Selmani ka luajtur më parë me Laçin dhe në Turqi, ndërsa ka qenë vazhdimisht pjesë e kombëtares.

Nga ana tjetër, trajneri Shehi ka hedhur poshtë të gjitha ofertat nga jashtë dhe nga brenda Shqipërisë për të vazhduar në stolin bardheblu. Ai u kërkua nga Shkëndija e Tetovës, nga Vllaznia si dhe pati ofertë nga Azerbajxhani.

Tirana përgatitet për sfidat e turit të parë të Ligës së Konferencës, me shortin që hidhet në 20 qershor dhe me ndeshjet që luhen në 13 e 20 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat