Ylli i Interit i thotë “jo” anglezëve

Futboll

Ylli i Interit i thotë “jo” anglezëve

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 13:19
Interi

Nikolo Barela është një nga mesfushorët më të lakmuar të Europës, por Interi nuk ka ndër mend të heqë dorë prej tij. Sirenat angleze kanë qenë gjithmonë të pranishme për mesfushorin me Liverpulin e Mançester Junajtidin si dy nga klubet që e kanë vlerësuar më së shumti, edhe pse kanë munguar ofertat zyrtare për të.

Zikaltrit e vlerësojnë me 80 milionë euro kartonin e 26-vjeçari, por përveç kostos së tij, ajo që pritet të bëjë diferencën në fatet e merkatos do të jetë vullneti i vetë lojtarit.

Sipas “Sky Sports”, burime pranë mesfushorit kanë rrëfyer se vetë Barela do të refuzojë çdo lloj oferte që mund të vijë në drejtim të tij, pasi synimi i vetëm është të bëhet një flamur i Interit.

Pas largimit të mundshëm të Handanoviçi, kontrata e të cilit skadoi dje, tashmë do të ketë një garë mes Barelës dhe Lautaros për të qenë kapiteni i ardhshëm i Interit, me argjentinasin më të favorizuar.

Gjithsesi Barela është një ndër liderët e Interit brenda dhe jashtë fushës, një status të cilin mesfushori nuk është gati ta humbasë as për një rrogë më të lartë se 6 milionë eurot që përfiton tani dhe që në Angli mund të jetë më shumë se e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat