Probleme fizike për tre lojtarë të Partizanit

Futboll

Probleme fizike për tre lojtarë të Partizanit

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 21:04
Partizani

Në seancën e djeshme, i vetmi që nuk u stërvit nga lojtarët e pranishëm, ishte Arinaldo Rrapaj.

Mesfushori vlonjat është lënduar në këmbë gjatë ditëve të fundit, teksa problemin më të madh ia ka shkaktuar humbja e thoit, që të paktën për disa ditë nuk do ta lejojë të veshë këpucë futbolli apo të godasë topin.

Gjatë kësaj kohe mesfushori pritet të përpiqet për të mbajtur formën në palestër, teksa shpresohet që të jetë rikuperuar plotësisht deri në ndeshjen e 11 korrikut ndaj BATE Borisov në “Air Albania”.

Dje mesfushori nuk është stërvitur fare, teksa ka qëndruar i ulur në pankinë, duke ndjekur shokët.

Në ditët në vijim pritet të mësohet më shumë rreth tij. Një tjetër lojtar, që nuk luajti në ndeshjen miqësore ndaj Strugës, ishte edhe Viktor da Silva. Braziliani ka shfaqur lodhje muskulore për shkak të ngarkesës së lartë në stërvitje dhe prej pak ditësh e ka ulur ritmin.

Dje ai nuk u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës, por u angazhua vetëm me disa vrapime prej rreth 75 metrash. Gjithsesi, Da Siva nuk e rrezikon ndeshjen me BATE-n.

Ndërkohë, edhe Maget u stërvit i veçuar së bashku me brazilianin. Senegalezi i është bashkuar më vonë skuadrës dhe duket se ende nuk e ka kapur ritmin e shokëve. Maget vuajti dëmtimet edhe në pjesën e dytë të sezonit, që sapo u mbyll.

Ndërkohë, Sembene, që theu dorën pranë fundit të sezonit, po stërvitet normalisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat