FIFA letër falënderimi FSHF-së

Futboll

FIFA letër falënderimi FSHF-së

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 14:58
Pamje nga një stërvitje

Projekti ‘Futbolli për Shkollat’, i lançuar pak javë më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, i mbështetur nga FIFA, pritet të nisë rrugëtimin në sezonin e ri shkollor 2023-2024. Rreth 116 mësues të edukimit fizik nga thuajse e gjithë Shqipëria janë trajnuar nga 3 përfaqësues të FIFA-s, të cilët zhvilluan një seminar 3 ditor në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Qëllimi kryesor i këtij programi është identifikimi dhe mbështetja e fëmijëve nga mosha 8-14 vjeç dhe familjeve të tyre si edhe njëkohësisht identifikimi i talenteve të reja.

3 përfaqësuesit e FIFA-s kanë ndarë eksperiencën e tyre mjaft pozitive edhe drejtoren e projektit ‘Futbolli për Shkollat’ në FIFA, Fatimata Sidibe, e cila nuk ka ngurruar të falënderojë dhe t’i përcjellë Presidentit të FSHF-së, Armand Duka të gjithë mirënjohjen e saj dhe të ekipit që ishte në Tiranë për seminarin 3-ditor. Në një letër falënderimi drejtuar kreut të institucionit të futbollit shqiptar, znj. Sidibe nënvizon se ky projekt nuk do të bëhej i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë të FSHF-së, ndërsa kërkon mbështetjen e mëtejshme të Federatës së Futbollit, për ta shndërruar programin ‘Futbolli për Shkollat’ në një model që të ndiqet nga të gjithë fëmijët.

Letra e plotë e drejtores së projektit ‘Futbolli për Shkollat’ Fatimata Sidibe, drejtuar Presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

“I dashur President,

Ekipi ynë është kthyer nga Tirana me kujtime të bukura pas lançimit të projektit ‘Futbolli për Shkollat’ dhe të gjitha momenteve të përbashkëta të ndara me më shumë se 300 fëmijë dhe mësues.

Ky prezantim i projektit ‘Futbolli për Shkollat’ ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ishte një bashkëpunim shumë i mirë. Së bashku, ne bashkuam forcat për të vënë në përdorim sportin tonë të dashur, për të mirën e fëmijëve dhe të rinjve, duke krijuar eksperienca unike jetësore si brenda, edhe jashtë fushe, duke lënë një ndikim pozitiv në jetën e të gjithë pjesëmarrësve dhe komunitetit të tyre.  

Në vijim ne kërkojmë mbështetjen tuaj të vazhdueshme, duke pasur parasysh që Federata Shqiptare e Futbollit mund të ndihmojë në nxitjen e ndryshimeve sociale në vend, duke punuar mbi bazat që u hodhën me prezantimin e programit ‘Futbolli për Shkollat’. Me ndihmën tuaj, ne synojmë që ta shndërrojmë këtë projekt në një model që të ndiqet nga të gjithë.Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për angazhimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe qeverisë shqiptare për ta përdorur futbollin si një mjet ndryshimi. Në këtë drejtim, gjej rastin t’ju kërkoj që të falënderoni sinqerisht të gjithë entitetet e përfshira për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në lançimin e ‘Futbollit për Shkollat’.

Të bindur për vlerat pozitive që ne përçojmë përmes futboll, ju urojmë gjithë të mirat me një përshëndetje shumë miqësore për të gjithë anëtarët e FSHF-së. Faleminderit edhe njëherë dhe shpresojmë që të shihemi sërish shumë shpejt.

Gjithë të mirat

Fatimata Sidibe – Drejtore e Projektit ‘Futbolli për Shkollat’”, shkruan nga FIFA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat