Oferta nga Anglia tundon PSG-në

Futboll

Oferta nga Anglia tundon PSG-në

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 16:57
Kylian Mbappe

Real Madrid mbetet gjithmonë pas Kylian Mbappe, por “yllin” francez e ëndërrojnë edhe në Premier League. Sidomos Liverpooli, që po bën të pamundurën për të siguruar firmën me një nga futbollistët më të mirë në planet.

24-vjeçari ka edhe një vit kontratë me PSG-në. Që në rast se nuk arrin akordin e rinovimit, është gati ta shesë. Pasi nuk mund të humbasë një lojtar të tillë me parametra zero.

Dhe “The Reds” janë gati të shfrytëzojnë këtë mundësi, duke “hapur thesin” për të siguruar kartonin e sulmuesit të PSG-së dhe kombëtares së Francës.

200 milionë euro është oferta e drejtuesve të klubit anglez, propozim që tundon jo pak presidencën e PSG-së. Por, një nga problemet është fakti që Liverpooli nuk luan në Champions League sezonin e ardhshëm.

Kompeticion ku Mbappe nuk dëshiron të mungojë në asnjë mënyrë. Presidenti Nasser Al-Khelaifi i vendosi një ultimatum goleadorit në lidhje me të ardhmen.

“Ne duam që ai të qëndrojë, Kylian nuk mund të largohet falas. U trondita shumë kur mësova se ai kishte vendosur të largohej falas.

Është shumë zhgënjyese, sepse Mbappe është një djalë fantastik, një zotëri i vërtetë. Por të largohesh falas, duke dobësuar klubin më të madh në Francë, është e pamundur.

Kur dëgjova lajmin, u trondita dhe u zhgënjeva. Ai duhet të marrë një vendim brenda dy javëve të ardhshme. Nëse nuk rinovon ne do e shesim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat