Mendjen te ndeshja e kthimit, Daja: Nuk shkojmë për ta mbrojtur rezultatin

Futboll

Mendjen te ndeshja e kthimit, Daja: Nuk shkojmë për ta mbrojtur rezultatin

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 08:49
Mendjen te ndeshja e kthimit, Daja: Nuk shkojmë për ta mbrojtur rezultatin

Kampioni i Kosovës, Ballkani e mposhti mbrëmë me rezultat solid 2:0 skuadrën e Ludogorets, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Ilir Dajës marshoi drejt fitores plotësisht të merituar falë golave nga Meriton Korenica dhe Qendrim Zyba.

Pas ndeshjes, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja tha se futbollistët e tij e lanë shpirtin në fushë, duke marrë parasysh kundërshtarin që e kishte përballë.

Kemi luajtur një pjesë të parë perfekte, pasi skuadra kundërshtare nuk kishte asnjë shans. Kemi bërë mirë edhe me qarkullimin e topit. Me pesë ndërrimet e tyre ramë pak fizikisht, por këta djem nuk dorëzohen kurrë. E thash në mënyrë figurative që e japin shpirtin në fushë dhe kjo ndodhi sot. Nuk është e pakët që në 70 për qind të kohës të jesh mbi kundërshtarin, duke ditur se çfarë kundërshtari kishim përballë”, tha Daja.

Edhe pse siguroi fitoren në ndeshjen e parë duke ia lehtësuar vetës punën për ndeshjen e kthimit, Daja tha se nuk ka rëndësi rezultati pas 90 minutave por pas 180 minutave.

Duhet të bëjmë edhe më mirë se në fushën tonë. Kemi përballë ekip me kualitet dhe nuk do të shkojmë për të mbrojtur rezultatin. Kemi bërë gjysmë hapi, por nuk kemi bërë ende asgjë. Nuk ka rëndësi rezultati pas 90 minutave, por pas 180 minutave”, tha Daja.

Ndeshja e kthimit mes Ballkanit dhe Ludogorets do të zhvillohet më 19 korrik me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Huvepharma Arena” të Razgradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat