FFK me njoftim të rëndësishëm për projektin e fushave në Kosovë

Futboll

FFK me njoftim të rëndësishëm për projektin e fushave në Kosovë

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një njoftimi e ka bërë të ditur se po vazhdon implementimi i projekteve të cilat janë paraparë të realizohen brenda ciklit katërvjeçar.

Njëri prej projekteve më të rëndësishme është ai për zhvillimin e infrastrukturës në bashkëpunim me komunat, ku pas memorandumeve të nënshkruara në mes krerëve ndërinstitucional, punët janë kryer me intensitet të shpejtë.

Qëllimi i këtij projekti është t’u ofrojë të rinjve nga mbarë Kosova hapësira sportive, përkatësisht fusha të futbollit bashkë me objektet përcjellëse, në të cilat ata do të mund të aplikojnë lojën e futbollit, të zhvillohen kategoritë e reja dhe të mundësohet një përfshirje sa më e madhe e fëmijëve të dy gjinive në këtë sport.

Fushat me bari sintetik në qytete të ndryshme të Kosovës thuajse kanë përfunduar, ndër to janë fusha në Brestovik të Pejës, e cila është në fazën finale, ashtu siç është edhe ajo në Gjonaj të Prizrenit, ku po punohet tashmë me intensitet në ndërtimin e objekteve përcjellëse.

“FFK synon të vazhdojë këtë projekt edhe me komunat tjera për të mundësuar që çdo vend ku ka më shumë se 25 lojtarë që luajnë dhe e praktikojnë futbollin të ndërtohet një fushë. Nëpërmjet këtij projekti, të rinjtë do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë hapësirat sportive të reja dhe të ndjekin pasionin e tyre për futbollin, ndërsa në të njëjtën kohë do të rritet ndjeshmëria sociale dhe ekonomike në komunitetet ku ky projekt do të realizohet”, shkruante në komunikatën e FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat