​“2 Korriku” në krizë të thellë financiare!

Futboll

​“2 Korriku” në krizë të thellë financiare!

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 11:07
Drilon Baholli

Njëra nga akademitë më të famshme të futbollit në Kosovë, “2 Korriku” që ka nxjerrë një numër të madh talentesh që kanë bërë karrierë nëpër klubet kosovare, por edhe nëpër ato evropiane, është duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë financiare.

“2 Korriku”, që funksionon si shkollë futbolli por edhe si klub që garon në Ligën e Parë, qëllim kryesor ka zbulimin dhe përgatitjen e futbollistëve të rinj.

Drejtori sportiv i klubit, Drilon Baholli deklaron se interesimi për të qenë pjesë e kësaj shkolle është jashtëzakonisht i madh.

Baholli: Interesimi i fëmijëve për futboll është i jashtëzakonshëm

“Realisht interesimi është i madh, ka fëmijë shumë të interesuar dhe ka fëmijë që vijnë shumë me vullnet, e bëjnë presionin shumë të madh tek prindërit, aq sa prindërit ankohen duke thënë se “çfarë po u bëni që po na bëjnë kaq shumë presion për t’i sjellë në stërvitje”. As nuk hanë e as nuk pinë, zgjohen herët në mëngjes me tesha sportive që sot në mbrëmje kemi stërvitje. Politika e klubit tonë sillet rreth akademisë, rreth krijimit të futbollistëve sa më shumë, rreth hulumtimit të talentëve, marrjes së talentëve, përpunimit të tyre dhe normalisht për treg të Kosovës, të Shqipërisë, Maqedonisë (së Veriut), të Evropës dhe për kudo që ka interesim”, thotë Baholli.

Por, angazhimin e tyre Baholli shprehet se po e vështirëson situata tejet e rëndë financiare, në të cilën janë futur.

Ai për KosovaPress bën të ditur se tash e një vit, klubi nuk ka marr asnjë të hyrë financiare dhe kjo për shkak të procedurave që duhet të kryhen brenda Ministrisë së Sportit për të përfituar nga Ligji i Sponsorizimit.

Baholli: Po përjetojmë krizën më të thellë financiare në histori të klubit

“Prej vitit 2022, muajit nëntor, deri tani që jemi në muajin shtatë të vitit 2023, pra tash e nëntë muaj asnjë cent nuk e kemi marrë nga sponsorizimi për shkak të licencimit të federatës, licencimit të klubeve, shkaku i shumë zvarritjeve procedurale, shkaku i moskthimit të shumë përgjigjeve prej njerëzve kompetentë që punojnë nëpër institucione të Kosovës, të gjitha bashkë. Është shumë e vështirë dhe jemi duke e përjetuar ndoshta krizën financiare më të madhe në histori të klubit”, thekson Baholli.

Interesimi i sponsorëve për t’u ofruar me klubin nuk mungon, por, sipas Bahollit është shteti që nuk po i lehtëson procedurat duke bërë që klubi të futet në njërën nga periudhat më të vështira të ekzistencës së tij.

Baholli: Ka interesim nga sponsorët, por shteti po vonon me procedura

“Ka interesim, ne kemi kontrata të sponsorizimit në pritje që janë në procedura. Në këtë aspekt, shteti nuk na e ka lehtësuar...Nganjëherë duhet parë se ku shkojnë mjetet, çfarë bëhet me to, kush i merr ato mjete, sepse ato mjete që merren nga sponsorizimet shkojnë në paga, pajisje, infrastrukturë, prapë tatohen ato, prapë dalin në shtet. Mendoj që ka qenë periudha më e vështirë financiare, por prapë se prapë po duhet ta zhvillojmë sportin, duhet të mos ndalemi dhe të bëjmë aktivitete”, thotë më tutje Baholli.

Pikërisht nga akademia e “2 Korrikut” kanë dalë emra që kanë bërë bujë edhe në futbollin evropian, si Etrit Berisha, Ardian Ismajli e Mentor Zhdrella janë ndër emra që e bëjnë të lavdishme historinë e këtij klubi.

Baholli: Krenohemi me shumë emra që kanë dalë nga shkolla jonë në Evropë

“Ka lojtar edhe në ligë të Kosovës edhe në ligat evropiane. Është në ligë të Kosovës katër herë fituesi i ‘Topit të Artë’ të Kosovës, futbollisti më i mirë i Superligës së Kosovës, Mentor Zhdrella ka qenë pjesë e shkollës sonë, Etrit Berisha që është në Torino në Itali ka qenë pjesë e shkollës sonë...Ardian Ismajli është lojtar i Kombëtares së Shqipërisë, lojtar i Empolit të Italisë...Është Blerim Rrustemi, ka qenë mbrojtës ai... ka shumë, në Australi është Labinot Haliti...Në ligë të Kosovës ndoshta nuk ka klub që nuk e ka një lojtar të shkollës së ‘2 Korrikut’”, deklaron Baholli.

Një lajm i mirë në të gjithë këtë situatë nëpër të cilën po kalon klubi, është fakti që Komuna e Prishtinës ka nisur ndërtimin e tribunave të stadiumit ku “2 Korriku” i zhvillon stërvitjet dhe ndeshjet kampionale.

Baholli: Na gëzon fakti që komuna ka nisur investime në infrastrukturë

“Ky është investimi i parë që Komuna e Prishtinës e ka bërë në ndonjë stadium, përveç stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Pra, komuna ka filluar këtu, pastaj në stadium të Flamurtarit, ka projekte të shumta duke iu falënderuar drejtorëve përgjegjës të sporteve...Kjo pritet të përfundojë, veçse është afër përfundimit të fazës së dytë të projektit, sepse projekti është i ndarë në tri faza, është afër përfundimit të fazës së dytë dhe besoj që këtë vit prapë tenderohet për fazën e tretë për të vazhduar që të mos ngecim nëpër procedura tenderuese.”, thekson Baholli.

Sa i përket ekipit të parë, Baholli thotë se në sezonin e ri, klubi do të luftojë për të siguruar inkuadrimin në Superligën e Kosovës.

Baholli: Këtë sezonin, “2 Korriku” luan për t’u futur në Superligën e Kosovës

“Vitin e kaluar kemi pasur ngecje në rezultate, kemi pasur krizë të rezultateve më mirë të them që nuk kemi mundur ta bëjmë atë që kemi ditur ta bëjmë ose nuk e kemi pasur grupin për ato rezultate...Këtë vit mendoj që bërthamën e klubit e kemi mbajtur me disa prurje të reja që i kemi bërë dhe mendoj që synimi i klubit është të jemi lartë në tabelë, pse jo edhe barazhi për në Superligë.”, shton Baholli.

Ndryshe, “2 Korriku” bën pjesë në Grupin B të Ligës së Parë dhe në xhiron e parë të edicionit të ri do të ballafaqohet me Ferizajn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat