Në prag të sezonit të ri në La Liga, Reali goditet nga lëndimet

Futboll

Në prag të sezonit të ri në La Liga, Reali goditet nga lëndimet

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 11:08
Ancelotti

Sezoni i ri është gati të startojë në futbollin spanjoll, me shpenzime jo të mëdha në merkaton e verës. Real Madridi është deri tani i vetmi përjashtim në këtë drejtim. “Los Blancos” i lejuan vetes blerjen e vetme luksoze, falë 103 milionë eurove të shpenzuara për Xhud Belingam.

Florentino Pérez i dha trajnerit Ançelotti edhe turkun Arda Guler, duke mposhtur konkurrencën e gjysmës së Evropës. 20 milionë euro për të rrëmbyer lojtarin premtues turk nga Fenerbahçe, i cili u dëmtua menjëherë. Lëndim në meniskun e brendshëm të gjurit të djathtë dhe ndalesë e gjatë në horizont.

Shihemi në vitin 2024. E njëjta gjë për portierin Kurtua, që këputi ligamentin e përparmë të gjurit në stërvitjen e së enjtes paradite dhe do të operohet. Edhe ai i tha lamtumirë sezonit të ri, dy ditë para së ta fillonte.

Karlo Ançeloti në këtë parasezon ka zgjedhur një ndryshim të formacionit për të mos u detyruar të bëjë shumë sakrifica të rëndësishme në mesfushë. Prandaj është e mundur që në kampionat ta shohim mëjnanë modulin e tij të dashur 4-3-3 në favor të skemës 4-4-2, me dy sulmues të avancuar si Vinicius dhe Rodrigo.

Ky do të jetë sezoni i fundit për trajnerin italian në stolin e bardhë, ngaqë është i destinuar të marrë frenat e Brazilit nga qershori i ardhshëm. Por së pari është nevoja për të rivendosur dominimin brenda La Liga-s dhe më gjerë. Është e qartë se nevojiten përforcime të mëtejshme. Dëmtimi i rëndë i Tibo Kurtua-s do ta shtyjë klubin të vrapojë menjëherë në merkato.

Po ashtu, Ançeloti ka nevojë për një qendërsulmues. Për momentin, pas largimit të Karim Benzema, të bardhët kanë Hoselu si sulmuesin e tyre të vetëm qendror. Një detaj bie në sy: numri 9 mungon nga 23 lojtarët e regjistruar deri më tani nga klubi në La Liga.

Gjithçka sugjeron se nga tani deri më 1 shtator, ky numër do të gjejë pronarin e ri. Përflitet se do të jetë Kilian Mbape. Ndërkohë në Paris tashmë kanë përgatitur lamtumirën e yllit francez, duke i hequr fanellën nga dyqanet zyrtare të klubit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat