Largimi i Zaniolos e hap rrugën e rikthimit të Rashicës

Futboll

Largimi i Zaniolos e hap rrugën e rikthimit të Rashicës

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 14:38
Milot Rashica

Nicolo Zaniolo do të largohet nga Galatasaray nesër për t’iu bashkuar Aston Villës, fillimisht në formë huazimi e më pas me gjasë me blerje përfundimtare.

Dhe, ky ndryshim në klubin nga Stambolli do t’ia hap rrugën e rikthimit Milot Rashicës.

Ylli ynë është rikthyer përkohësisht në Norwich City, i cili mban kartonin e lojtarit, pas një sezoni fantastik që e pati tek Galata në formë huazimi.

E tash, me paratë që do t’i fitojë nga, fillimisht huazimi e më pas shitja e mesfushorit italian, klubi i Superligës turke do ta ketë mundësinë ta realizojë transferimin e futbollistit vushtrrias.

Klubi nga Championshipi i kërkonte 8 milionë euro, ndërsa mediumi turk “Aksam” mëson se tash anglezët kanë rënë në 6 milionë.

E kjo shumë është e kapshme për Galatasarayn, i cili pritet ta rikthejë përfaqësuesin tonë në ditët në vazhdim.

Edhe vetë lojtari e ka dhënë dritën e gjelbër pasi në Stamboll është ndier mjaft mirë dhe dëshiron ta vazhdojë aty rrugën e nisur.

Rashica në sezonin e kaluar i zhvilloi 30 ndeshje me Verdhekuqtë, ndërsa në 23 prej tyre ishte titullar.

Në 1950 minuta të luajtur, ish-futbollisti i Vitesses dhe Werder Bremenit i ka realizuar 6 gola dhe i ka bërë 7 asistime.

Rashica nuk u përfshi në skuadrën e Norwichit, i cili u përball me Southamptonin në fundjavë dhe ky fakt e rrit edhe më shumë mundësinë e realizimit të këtij transferimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat