Shehi: Në kampionat nuk ka “shaka”, dua mobilizim 100%

Futboll

Shehi: Në kampionat nuk ka “shaka”, dua mobilizim 100%

Më: 20 gusht 2023 Në ora: 12:35
Shehi

Tirana barazoi të shtunën me rezultatin 3-3 në një miqësore te luajtur në stadiumin Selman Stermasi përballë Elbasanit. Bardheblutë vuajtën mungesën e disa lojtarëve titullarë për shkak dëmtimi e pikërisht në lidhje me problemet fizike, pas ndeshjes në një prononcim për mediat, trajneri i kryeqytetasve Orges Shehi u shfaq i shqetësuar duke qenë se bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm.

“Është testi i fundit para fillimit të kampionatit, na gjeti me shumë mungesa dhe dëmtime. Hila luajti në sulm, kemi probleme me Abazajn, me Kainën dhe me Përgjonin.

Deliu dhe Najdovski vijnë nga dëmtime dhe nuk kanë minutat e plota, ishim me shumë mungesa.

Kur mungojnë Abazaj dhe Kaina që janë stabël në fazën e sulmit, më pas do të detyrohesh të improvizosh.

Shpresojmë të rikthehen shpejt dhe në fillimin e javës të jemi bashkë për të pritur startin e kampionatit.

Nuk na vjen mirë që nuk fitojmë në miqësore, kërkojmë t’i interpretojmë siç duhet ato. Mobilizimi dhe karikimi mungon se vinim nga Europa. Miqësoret shfaqen provbleme që duhen përmirësuar, në kampionat secili duhet të japë 100% sepse fillon gara zyrtare.

Bëmë mirë në Europë dhe na mbetet për detyrë të kthehemi në kampionat sic bëmë në Europë, shpresoj të lëmë pas dëmtimet pasi bëhet fjalë për lojtarë që kanë vlerë për skuadrën dhe pjesëmarrja e tyre në fushë ka ndikim në mbarëvajtjen e takimit”.

Ndër të tjera, Shehi u ndal edhe te shtyrja e kampionatit me një javë duke theksuar se një vendim i tillë e penalizoi Tiranën e tij ndërsa shtoi se e pret me shumë kënaqësi javën e parë kundër Dinamos.

Një tjetër shtyrje e mundshme e kampionatit? “Shtyrja e kampionatit na dëmtoi sepse ishim të karikuar pas Europës. Nëse do të ketë një tjetër shtyrje, duhet ta dijmë përpara dhe jo në momentin e fundit që të marrim masa sepse shtyrjet në fund prishin punë.

Do të jetë një kampionat i luftuar edhe pse është një formulë ndryshe, më vjen mirë që e fillojmë me derbi kundër Dinamos.

Ka traditë dhe histori, tashmë Dinamo ka një qasje tjetër për vazhdimësinë. Më vjen mirë ta nisim kundër tyre.

Fillimi është motivues, sidomos kur përballë është një skuadër rivale, kështu edhe karikimi është më i madh”, u shpreh Shehi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat