Babai i Qazim Laçit dhe Shqipëria përpara të gjithëve

Futboll

Babai i Qazim Laçit dhe Shqipëria përpara të gjithëve

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 11:53
Emin Qazim Laçi

Kur këndohet himni i Shqipërisë në një ndeshje të Kombëtares, ai që bie më shumë në sy është Qazim Laçi.

Me sytë e mbyllur dhe gojën që nis të nxjerrë fjalët e zemrës, Qazim Laçi e përjeton çdo ndeshje me fanellën kuqezi si të ishte e fundit e karrierës së tij.

Pavarësisht se nuk ka luajtur me ekipe të mëdha dhe emri i tij nuk është aq ekzotik sa shokët e tjerë të ekipit, me motorin e ndezur në çdo sekondë dhe shpirtin e vendosur në fushë, Qazimi dallon dhe fiton zemra tifozësh.

Sigurisht që pas një djali të tillë qëndron gjithmonë mbrapa edukimi i mirë i prindërve. Për këtë arsye, komplimentet dhe merita i shkon babait të tij, Eminit. Një shqiptar me zemrën e madhe dhe që flet me pasion të madh, po aq sa i Qazimit në fushën e blertë.

Asnjëherë nuk preferon që të ngrejë djalin e tij në “qiellin e shtatë” dhe ta quajë “lojtar të madh”, por gjithmonë krenohet me djalin shembullor dhe të edukuar që ka rritur, për vlerat sportive flasin gjithmonë të tjerët.

Nga informacionet që ne kemi, sa herë bëheshin takimet me familjarë të lojtarëve të rinj që nuk e kishin zgjedhur ende Kombëtaren, Emini ishte një prej përkrahësve të flaktë të zgjedhjes së Shqipërisë.

Kombëtarja jonë nuk duhet të jetë kurrë në diskutim para të tjerëve dhe kjo theksohej më të madhe nga Emini. Djalin e ka ndjekur kudo në karrierë, çdo gol i Qazimit e përjetonte si ta kishte shënuar vet. Gjithçka e ka kaluar në jetë, por ajo që i mungon është obsesioni i të gjithëve shqiptarëve, Europiani.

Emini lutet që të vijë momenti kur të duartrokas djalin e tij në një ndeshje Europiani me Shqipërinë. Pak rëndësi ka nëse Qazimi do të luajë apo jo, mjafton që ai të jetë pjesë e Kombëtares dhe Shqipëria të shkojë larg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat