Kundërshtarët e Partizanit janë në krizë

Futboll

Kundërshtarët e Partizanit janë në krizë

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 19:41
Partizani

Kundërshtari i Partizanit në “play off” të Ligës së Konferencës, Astana, është një ekip me mjaft emër, por në javët e fundit nuk po kalon aspak një situatë pozitive sa u përket rezultateve.

Në 10 ndeshjet e fundit në kompeticionet europiane, skuadra kampione e Kazakistanit ka marrë vetëm dy fitore, që janë shumë pak për një ekip të niveleve të tilla.

Nga 19 prilli deri më 5 korrik skuadra e drejtuar nga Grigori Babajan pati regjistruar 12 fitore, tri barazime dhe asnjë humbje, teksa më pas skuadra nisi një seri rezultatesh negative.

Në një shkrim në median kazake “Vesti.kz” Astana cilësohet si një skuadër që ka probleme në sulm dhe golat i ka me pikatore edhe në rastet e fitoreve.

Në Europë, Astana është mundur në dy ndeshjet ndaj Dinamo Zagrebit në raundin e dytë të Champions League, teksa fitoi sfidën e parë në Ligën e Europës ndaj Ludogorets, për t’u mposhtur me goleadë 5-1 në sfidën e dytë në Bullgari. Në turin e parë në Champions League eliminoi Dinamo Tbilisin, si i vetmi kualifikim në këto eliminatore.

Në 10 ndeshjet e fundit Astana ka shënuar vetëm shtatë gola dhe ka pësuar 18 të tillë, duke treguar qartë edhe problemet në mbrojtje.

Të dielën Astana u ndal në një barazim 1-1 ndaj skuadrës së Kaisar në kampionat, ku renditet në vendin e tretë, 8 pikë larg kryesuesve.

Sipas mediave kazake, Partizani është po aq i fortë sa Astana, pavarësisht një eksperience më të vakët në Europë në të shkuarën.

Në Kazakistan raportojnë se kjo ndaj Partizanit do të jetë prova e fundit për trajnerin Babajan dhe stafin e tij. Në rast humbjeje ai shkarkohet. Babajan ka folur edhe vetë në lidhje me sfidën ndaj “demave”.

Ai është koshient se veçanërisht në sulm skuadra ka probleme, teksa flet në lidhje më largimin e mundshëm të tij nga drejtimi i ekipit.

“Kur luajmë në Europë, humbasim pikë në kampionat. Kemi vështirësi emocionale.

Sulmuesit tanë nuk po shënojnë dhe po humbasin shumë raste.

Detyra jonë tani është japi gjithçka në Ligën e Konferencës ndaj Partizanit. Do të bëjmë maksimumin për të kapur grupet. Pyetjen mbi largimin tim duhet t’ia bëni klubit.

Ata vendosin. Nuk dua ta mendoj largimin, sepse ka shumë negativitet përreth.

Është e qartë që nuk po kalojmë situatën më të mirë, por ne tani nuk mendojmë asgjë veç ndeshjes së radhës”, u shpreh trajneri i kazakëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat