Sulmuesi anglez mbush ndjeshëm arkat e Bayernit, shiten 13 mijë fanella për 24 orë

Futboll

Sulmuesi anglez mbush ndjeshëm arkat e Bayernit, shiten 13 mijë fanella për 24 orë

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 14:47
Harry Kane

Harry Kane la vulën e tij menjëherë në de butimin e Bajernit të Mynihut në Bundesligë, në fillim asist për Sanenë që zhbllokoi sfidën e fituar 4-0 ndaj Verder Bremenit në transfertë dhe më pas golin e sigurisë për të shkuar te tri pikët e para të sigurta.

Dhe kaq mjafton që sulmuesi anglez i blerë 110 milionë euro nga kampionët e Gjermanisë të vazhdojë të përbëjë lajm, madje ato shtohen sa më shumë që kalojnë ditët.

I gjithë ky interesim sigurisht që në futbollin e sotëm përkthehet edhe në para, sepse menjëherë pas firmës disa nga kompanitë që sponsorizojnë Herri Kejnin duan të futen të jenë edhe pjesë e Bajernit të Mynihut, me drejtuesit që nisin të fërkojnë duart për më shumë miliona të shtuar në vazhdimësi në arkat e tyre.

Gjithsesi, arkat kanë nisur të buzëqeshin prej një jave tashmë, duke qenë se kompania “Adidas” është futur në punë serioze për të qepur sa më shumë fanella me emrin e gjigantit nga ishulli britanik. Aktualisht, ajo e Kejnit është bluza më e kërkuar nga tifozët bavarezë dhe shitja po ecën me ritme të frikshme, aq sa vetëm në 24 orët që pasuan golin e tij të parë me Bajernin u shitën 13 mijë fanellë me 9-ën e tij.

Ky sukses marketingu bën bavarezët të shpresojnë se të gjithë investimin marramendës të bërë mund ta rikuperojnë shpejt, pasi 13 mijë fanellat e shitura për 24 orë kanë qenë vetëm në dyqanet e loguara Bajern vetëm në Gjermani, ndërsa për shifrat totale në Europë dhe botë duhet pritur ende për të mësuar numrin e saktë. Gjithsesi, dje ishte një tjetër ditë dhe një tjetër lajm i ri për Harry Kane.

Sponsori “Audi”, i cili mbulon me autovetura futbollistët dhe drejtuesit e Bajernit të Mynihut, ka dërguar automjetet që do të promovohen dhe përdoren prej tyre për këtë sezon. Dhe ajo që ra në sy mes shumë zgjedhjeve luksoze që mund të bënte kushdo, Harry Kane ishte ai që zgjodhi modelin më të lirë të konstruktorit gjerman, një fuoristradë “Audi Q-8”, së cilës nuk i janë kërkuar aksesorë luksozë në përbërje. Shkurt, versionin më të lirë të kësaj kategorie, prej 61 mijë eurosh (versioni më i shtrenjtë shkon deri në 130 mijë euro).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat