De Bruyne këshillon Mbappen

Futboll

De Bruyne këshillon Mbappen

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 15:22
Mbappe

Mesfushori belg i Manchester City, Kevin De Bruyne beson se do të jetë e vështirë për sulmuesin francez ta fitojë “Topin e Artë” duke luajtur me PSG-në. Në qendër të të gjitha diskutimeve gjatë merkatos së kësaj vere, Kylian Mbappé i qëndron ende pozicionit të tij, përfundimit të kontratës me kampionët francezë.

Një situatë kontraktuale e përmendur së fundi nga mesfushori-sulmues i Manchester City. I ftuar nga “Sky Sports”, belgu dha podiumin e tij për “Topin e Artë” të radhës. De Bruyne vendosi shokun e tij të skuadrës Erling Haaland në krye të renditjes, i ndjekur nga sulmuesi brazilian i Real Madridit, Vinicius Jr dhe Mbappe i treti.

Një zgjedhje që fituesi i Champions-it 2023 shpjegon se e ka bërë, veçanërisht për shkak të paqartësisë që rrethon të ardhmen e KM7, kontrata e të cilit është deri në qershor 2024 me parizienët.

Sipas tij, francezi ka disavantazh në garën e “Topit të Artë” duke qenë brenda klubit të kryeqytetit francez.

“Pse e vendos Vinicius përpara Mbappe në renditjen time për fituesin e ‘Topit të Artë’? Sepse nuk e di se ku do të luajë Mbappé këtë sezon. Unë gjithashtu mendoj se është më e vështirë për Mbappé ta fitojë këtë trofe duke qenë pjesë e PSG. Ka zëra se mund të shkojë te Real Madridi, por ende nuk ka gjë zyrtare.

Kësisoji nuk mund ta vendos atë përpara Haaland. Erling është ‘Topi i Artë’ për mua, me sezonin që ka pasur”. Duhet të theksojmë se në podiumin e KDB bie në sy mungesa e Lionel Messit, i cili është favorit për të qenë pasardhësi i Karim Benzema për “Topin e Artë” 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat