​“Djajtë e kuq” shmangin ferrin, Fulham me 10 lojtarë ndal Arsenalin

Futboll

​“Djajtë e kuq” shmangin ferrin, Fulham me 10 lojtarë ndal Arsenalin

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 19:47
​“Djajtë e kuq”

Kampionati elitar anglez në futboll solli edhe këtë të shtunë emocione të forta. Manchester United, i kritikuar shumë pas humbjes së javës së kaluar ndaj Tottenham, arriti të shmang humbjen ndaj Nottingham duke marrë tri pikë të reja, ndërsa Arsenal nuk arriti më shumë se një pikë ndaj Fulham që e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë.

“Djajtë e kuq” të Ten Hag e gjetën veten në disavantazh prej dy golash brenda pesë minutave të para kur Awoniyi (1’) dhe Boly (4’) shënuan për Nottingham Forest në “Old Trafford”. United riktheu baraspeshën falë golave të Eriksen (17’) dhe Casemiro (52’).

Në minutën e 67-të miqtë mbeten me 10 lojtarë kur Worrall u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje, ndërsa 10 minuta më pas, Bruno Fernades shënoi për 3-2 nga penalltia.

Në Londër, ekipi favorit për titullin, Arsenal u ndal në barazim 2-2 me Fulham. Ekpi i Marco Silva kaloi në epërsi që në minutën e parë me Pereira që shfrytëzoi një pozicionim fillestarësh të portierit Ramsdale.

Për ekipin e Artetas gjërat filluan të lëvizin vetëm pas futjes së mesfushorit Vieira dhe largimit nga fusha të gjermanit Havertz që shpërdoroi dhe ishte më i dobëti prej “topçinjve”.

Fillimisht Vieira u ndal në mënyrë të palejueshme në zonë e 16 metrave dhe fitoi penalltinë të cilën e ekzekutoi suksesshëm Saka, ndërsa më pas asistoi për Nketiah për 2-1. Edhe pse te goli i dytë pati debate pasi gjatë aksionit nuk u ndal një faull për Fulham.

Kur u mendua se Arsenal po shkon drejt fitores së tretë radhazi, pasi edhe Fulham mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të Bassey, në skenë doli Palhinha që u gjend më së miri në zonë pas një gjuajtje nga këndi dhe shënoi për rezultatin përfundimtar 2-2.

Në ndeshjet e tjera, Everton shënon një rekord të zi, pasi pas tri ndeshjes nuk kanë asnjë fitore, asnjë pikë dhe asnjë gol të shënuar. Kjo është hera e parë që kjo i ndodh këtij ekipi. Sot (e shtunë) u mposhtën minimalisht në shtëpi 0-1 edhe nga Wolves fal golit të Kaladzic në minutën e 87-të.

Brentford dhe Crystal Palace ndan pikët pasi ndeshja përfundoi 1-1. Për vendasit shënoi Schade (18’) ndërsa për ekipin e Hodgson, Andersen në minutën e 76-të. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat