Vllaznia nis sot Championsin

Futboll

Vllaznia nis sot Championsin

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 15:38
Vllaznia

Vllaznia e futbollit të femrave kërkon të rishkruajë historinë në Ligën e Kampioneve, me vajzat kuqeblu që do të zbresin sot në fushë për ndeshjen e raundit të parë të këtij kompeticioni, teksa në orën 18:00 do të sfidojnë në “Loro Boriçi” kosovaret e Hajvalisë në gjysmëfinalen e Grupit 7.

Kampionet e Shqipërisë vijnë më të karikuara se kurrë dhe këtë e konfirmoi edhe vetë trajneri Haris Lika në konferencën e djeshme për shtyp. “Ndeshjen ndaj Hajvalisë e kemi përgatitur ashtu si duhet.

Kemi pasur në dispozicion një kohe të gjatë për këtë gjë, kohë e cila më ka ndihmuar edhe mua si trajner të ingranohemi me ekipin. Stafi me ka mbështetur shumë, po ashtu edhe vajzat, të cilat gjej rastin t’i falënderoj për përkushtimin me të cilin stërviten”, u shpreh ndër të tjera trajneri i ri i vajzave kuqeblu.

Ndërkohë, Lika foli edhe për rivalët e grupit: “Nuk mund të themi se kush është më e forta apo më e dobëta, sepse i gjithë fokusi për ne është i përqendruar për momentin vetëm te sfida e parë kundër Hajvalisë. Një skuadër që e njohim mirë, e vlerësojmë, por që natyrisht do të tentojmë ta mundim dhe të shkojmë në finalen e grupit”, deklaroi trajneri Lika.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të luhet në orën 12:00 në “Loro Boriçi”, ndërsa përballë do të jenë Valur e Islandës dhe Fomget e Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat