Mediat çeke i tremben Shqipërisë: Kanë 7 lojtarë nga Italia, Spanja dhe Anglia

Futboll

Mediat çeke i tremben Shqipërisë: Kanë 7 lojtarë nga Italia, Spanja dhe Anglia

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 16:02
Pamje nga një ndeshje

Shqipëria do të zhvillojë një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, këtë të enjte, në transfertë ndaj Çekisë. Ky takim mund të vendosë shumë për rrugën e kombëtares kuqezi drejt Euro 2024.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvinho ndodhet në Pragë që prej ditës së mërkurë, aty ku atmosfera është ndezur nga tifozët shqiptarë që mbrëmjen e djeshme.

“Isport.cz”, një nga faqet më të rëndësishme vendase i ka bërë një analizë të shkurtër takimit të sotëm. Ata shkruajnë se kombëtarja e tyre duhet ta fitojë këtë takim dhe më pas bileta për të kaluar kufirin me Gjermaninë është thuajse e sigurt.

“Na duhen edhe 3 fitore dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me ndeshjet në shtëpi për të shkuar në Euro 2024”, shkruan media çeke. Megjithatë, ata kërkojnë më tej që kombëtarja e tyre të bëjë kujdes nga Shqipëria, pasi vlerësohet si një kundërshtar jo i lehtë, tejet i vështirë për t’u çarë në mbrojtje.

Ata kanë emra interesante, me 7 lojtarë që vijnë nga Italia, Spanja e Anglia”, vazhdon media çeke, por edhe këtu gabojnë dhe tregojnë se nuk kanë informacionin e duhur për kombëtaren kuqezi, pasi vetëm nga Italia kanë ardhur 9 futbollistë në Kombëtare.

Çeki-Shqipëri do të nisë në orën 20:45, ndërsa më 10 shtator, kuqezinjtë do të presin Poloninë në ”Air Albania”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat