Gjykimi sjell polemika në fushë

Futboll

Gjykimi sjell polemika në fushë

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 12:41
Pamje nga ndeshja

Çeki-Shqipëri ishte një ndeshje që pati shumë punë edhe për gjyqtarët. Jo më kot UEFA kishte dërguar në Pragë anglezin Antoni Tejlor, një prej gjyqtarëve më të mirë, i cili ka qenë kandidat edhe për të arbitruar finalen e Botërorit, Argjentinë-Francë, në vitin e kaluar. “Panorama Sport” shkruan për momentet për moviolë në ndeshjen e djeshme, ku goli i avantazhit të përkohshëm të çekëve, u dha me VAR.

30’ Nedim Bajrami rrëzohet në hyrje të zonës në duel me Krejcin, por arbitri vijon lojën, duke mos akorduar penallti për Shqipërinë. VAR-i nuk ndërhyn në këtë moment, por gjithçka mbetet e dyshimtë. Pamjet filmike tregojnë se Krejcin ka prekur një herë këmbën e fantazistit kuqezi, e më pas ka larguar edhe topin.

45’ Asllani jep një asist fantastik me të majtën te Cikalleshi, që pengohet në zonë nga Brabec, por anësori Geri Besuik akordon pozicion jashtë loje për sulmuesin. Pamjet filmike tregojnë se pozicioni është krejtësisht i rregullt, por sulmuesi e ka prekur topin me dorë gjatë kontrollit. Ndryshe do të kishim të bënim me penallti 100%. 

48’ Pas një harkimi nga krahu i djathtë, topi largohet nga Ismajli dhe në një rrëmujë në zonë kuqezi, Provud e dërgon topin në rrjetë. Goli anulohet për pozicion jashtë loje nga anësori Besuik. Pas shqyrtimit të pamjeve filmike, VAR i jep të drejtë anësorit.

56’ Kapiteni Souçek futet bukur në zonë dhe shërben për Çernin, që godet me të majtën dhe e dërgon topin në rrjetë. Goli anulohet nga anësori për pozicion jashtë loje të Çernit nga anësori Besuik. Mirëpo, më pas VAR konfirmon se goli është i rregullt, pasi lojtari i fundit i çekëve mbahej në lojë nga mbrojtësi Ardian Ismajli.

76’ Muja rrëzohet në zonë pas duelit me Brabec, por arbitri është i vendosur për të mos dhënë penallti. Edhe VAR-i nuk ndërhyn më pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat