Shqipëria nuk përmbahet

Futboll

Shqipëria nuk përmbahet

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 12:16
Shqipëria

Është luajtur sot miqësorja e dytë mes Shqipërisë dhe Zvicrës në futsall, një ndeshje mjaft e bukur dhe me plot golat shënuar që u mbyll me rezultatin 7-1 në favor të kuqezinjve tanë.

Trajneri Erind Resuli e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Valdrin Mjeku, Halim Selmanaj, Mentor Mejzini, Arif Limani, Darreer Soares De Melo.

Shqipëria e nis mirë sfidën dhe dominon lojën me raste për shënim, teksa në minutën e pestë arrin të kalojë në avantazh me Halim Selmanaj, i cili realizon pas një aksioni mjaft të bukur individual. Goli ka çliruar kuqezinjtë që ndalen më dhe në minutën e 10-të arrijnë të dyfishojnë shifrat me Arif Limanin, një nga prurjet e reja të këtyre miqësoreve.

Më pas i vjen radha Flamur Tahirit, të shkundë rrjetën me golin e tij të çojë shifrat në 3-0 në minutën e 13-të, teksa Shqipëria kalon një moment mjaft të mirë dhe konkretizon siç duhet rastet. Është sërish Arif Limani ai që shënon golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për Shqipërinë në minutën e 16-të, ndërsa një minutë më pas është Darrieer Soares De Melo, i cili realizon një gol të bukur për të fiksuar shifrat në 5-0. Zviceranët shënojnë ndërkohë një gol nderi, ndërsa pjesa e parë mbyllet me rezultatin 5-1.

Në pjesën e dytë Shqipëria vazhdon të jetë dominuese dhe arrin të shënojë edhe dy gola të tjerë me anë të Artan Jonuzit në minutën e 25-të dhe më pas vulos shifrat përfundimtare të sfidës në 7-1 goli i Endrit Kacës.

Një paraqitje mjaft e mirë e Shqipërisë, që arrin të triumfojë në të dyja miqësoret me Zvicrën, teksa në sfidën e parë triumfoi me përmbysje 3-2. Trajneri Resuli pati mundësi të provonte shumë lojtarë të rinj, të cilët mund të jenë të vlefshëm për ndeshjet dhe turnetë zyrtarë në muajt në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat