Skuadrat e mbyllin sfidën me barazim dhe me nga 10 lojtarë

Futboll

Skuadrat e mbyllin sfidën me barazim dhe me nga 10 lojtarë

Më: 17 shtator 2023 Në ora: 19:20
Pamje nga ndeshja

Lecce ngec në transfertën e Monzas, ndërsa nuk mundi të merrte më shumë se një pikë në “Brianteo”.

Skuadrat u ndanë me barazimin 1-1 si në gola ashtu edhe në kartonë të kuq, pasi të dyja e mbyllën sfidën me nga dhjetë lojtarë.

Sfida u zhbllokua nga miqtë, të cilët shënuan me penallti me Krstovic në minutën e 3-të. Ndërsa vendasit ia dolën që të gjenin golin e barazimit në minutën e 24’ me Colpani-n.

Në ndryshim nga pjesa e parë që solli dy gola, fraksioni i dytë “nxorri” jashtë dy lojtarë.

Baschirotto mori karton të kuq në minutën e 55’ dhe la skuadrën e Lecces me një lojtarë më pak në fushën e lojës.

Monza tentoi ta shfrytëzonte superioritetin numerik dhe gjeti rrugën drejt rrjetës me Carbonin, por pas verifikimit në VAR ai gol u anulua për pozicion të parregullt.

Në minutën e 85’ Caldirola mori kartonin e dytë të verdhë dhe la fushën e lojës, duke bërë që edhe Monza të mbeste me dhjetë lojtarë.

Në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 1-1, me Monzan që pas javës së katërt renditet në vend të 13-të me katër pikë, teksa Lecce, skuadër ku luan edhe mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, renditet në vend të katërt me tetë pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat