Partizani i paqartë

Futboll

Partizani i paqartë

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 13:19
Shkëlqim Muça

“Në formë nuk ka asnjë skuadër, të gjitha janë në ndërtim e sipër. Por ekipet që janë më cinike po marrin pikë, sidomos ato që kanë qenë në aktivitet në kupat e Europës”.

Është ky mendimi i ish-futbollistit dhe trajnerit të njohur, Shkëlqim Muça, tashmë në rolin e specialistit në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, i cili ka analizuar javën e katërt të Superiores.

Paqartësia e Partizanit, barazimi me Egnatian - “Skuadrat që kanë qenë në Europë janë një hap para të tjerave. Partizani dhe Egnatia, dy skuadra që kishin mundësitë e veta. Mendoj se ishte një ndeshje e barabartë. Egnatia është skuadër më e kompletuar, trajneri i ka idetë e qarta.

Ndërkohë, te Partizani nuk ka ide të qarta, ka shumë lëvizje të lojtarëve. Këto lëvizje mendoj se bëjnë që skuadra të mos jetë e qartë, të jetë konfuze.

Akoma nuk mund të themi që kjo është pamja e ekipit. Çdo trajner ka një ide, një skuadër, çdo rol të dubluar, nuk mund të bësh lëvizje të tilla: një mbrojtës ta aktivizosh në mesfushë. Mendoj se Partizani është i paqartë. Duamena? Është një lojtar që jep maksimumin në qendër të sulmit. E bën mirë punën e tij në çdo pozicion, por në qendër jep maksimumin”.

Fitorja e Tiranës në Kukës – “Tirana nuk e kishte të lehtë edhe për faktin se fusha nuk ishte ideale, por ia doli.

Fillimi ishte e ngadaltë, më pas rriti presionin.

Tirana nuk ishte në formën më të mirë, sulmuesit duket se nuk kanë një kimi të mirë mes tyre, prandaj nuk ka shumë raste.

Por ka shumë cilësi brenda. Kukësi është në ditë të hallit, lojtarët duket se duan të japin maksimumin, por kanë pësuar goditje psikologjike. Hallaçi duhet të ishte aty, më mirë se ai nuk mund ta bëjë dikush tjetër në këto kushte”.

Dinamo rrezikon – “Me atë grup lojtarësh që ka, Dinamo po bën maksimumin, është ndërtuar vonë si skuadër.

Me këtë grup lojtarësh është në atë pozicion që duhet të jetë.

Nëse nuk bën ndryshime në merkaton e janarit, atëherë rrezikon shumë, momentalisht është në grupin e dytë të skuadrave”.

Laçi-Vllaznia – “Laçi më bëri përshtypje, ndryshe nga ndeshja e parë, shumë më i kompletuar.

Edhe trajneri ka energji, ka dëshirë. Vllaznia nuk më pëlqeu me Partizanin, luajti shumë ngadalë.

Trajneri duhej të ishte treguar më i guximshëm kur kishte një lojtar më shumë. Mendoj se Laçi është më i avantazhuar në këtë sfidë”.

Teuta-Skënderbeu -  “Me Tiranën durrsakët luajtën mirë, por me Laçin pastaj u shpërfytyruan”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat