Krivanjeva: Të dalim fitues në derbin e parë shqiptarë të liqenit

Futboll

Krivanjeva: Të dalim fitues në derbin e parë shqiptarë të liqenit

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 23:49
Besart Krivanjeva

Të mërkurën skuadra Struga Trim Lum do të zhvillojë takimin e mbetur të javës së katërt kundër Voska Sport, rivalit nga qyteti fqinjë i Ohrit.

Kjo ndeshje duhej të zhvillohej me 20 gusht, mirëpo e njëjta ishte shtyrë për shkak paraqitjes së skuadrës së Strugës në garat europiane.

Mbrojtësi i Strugës Besart Krivanjeva, i cili ka qenë prezent në të gjitha ndeshjet e këtij edicioni, përfshirë këtu edhe ato 8 europiane, pra gjithsej 13 ndeshje dhe plotë 1161 minuta zyrtare, pa llogarirtur këtu kohën shtesë, thotë se ekipi është i gatshëm për të dhënë më të mirën edhe në këtë ndeshje, pavarësisht ndeshjeve të shumta që kanë zhvilluar në këtë fillim sezoni.

“Lodhësia është prezente tek skuadra, mirëpo rezultatet pozitive gjithnjë na bëjnë të japim më të mirën dhe të besojmë shumë tek vetëvetja.

Kështu është edhe në prag të ndeshjes me Voska Sport, një skuadër e re kjo në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, ndaj së cilës me siguri që do të kërkojmë tre pikët e plota.

Kjo ndeshje është e veçantë, pasi për herë të parë në historikun e dy qyteteve të bukura buzë liqenit, do të ndodh që dy skuadra shqiptare të përballen njëra me tjetrën në kuadër të Ligës së Parë.

Edhe përkundër kualiteteve që posedon skuadra kundërshtare, unë besoj te grupi që kemi dhe përvoja, ashtu që besoj se do jemi neve fituesit e parë të derbit të liqenit” – u shpreh Besart Krivanjeva, i cili nesër përballë Voska Sport do të luaj ndaj disa prej ish shokëve të tij, siç janë Besir Iseni, Fatih Ismaili, me të cilët së bashku kishte luajtur te FC Shkupi.

“Miqësia jonë është prej kohësh, e njëjta besoj se do vazhdojë edhe pas kësaj ndeshje, megjithatë mund të them se brenda 90 minutave nuk i njoh brenda fushës si miq, por si kundërshtarë. Ashtu që shpresoj të dalë fitues unë dhe të kem çfarë të ju them pas përfundimit të ndeshjes” – përfundon intervistën i buzëqeshur Krivanjeva.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat