Tetova shpërfill kryesimin e Egnatias

Futboll

Tetova shpërfill kryesimin e Egnatias

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 13:42
Tetova

Egnatia pret Teutën nesër në pozita kryesuese, por trajneri Edlir Tetova e mban me këmbë në tokë skuadrën, duke shpërfillur kryesimin pasi kanë kaluar vetëm gjashtë javë të kampionatit.

Egnatia do të presë Teutën të dielën në javën e shtatë të Kategorisë Superiore duke i parë të gjitha skuadrat e tjera nga maja e renditjes. Megjithatë, trajneri i kryesuesve, Edlir Tetova përpiqet të mbajë me këmbë në tokë të tijtë, me besimin se kreu pas vetëm shtatë javëve nuk do të thotë asgjë.

Egnatia mund të synojë titullin këtë sezon dhe morali është i lartë pas suksesit të jvëve të para, por kur duhen luajtur edhe 29 javë të tjerë efekti i kryesimit në luftën për titull është thjesht minimal. Ndaj trajneri u ka kërkuar lojtarëve të përqendrohen vetëm te ndeshja e radhës, pa shikuar më larg.

Kundërshtari i nesërm lundron në ujëra të turbullta, në vendin e parafundit, por trajneri i kryesuesve ka vetëm respekt për Teutën, skuadër me të cilën ka luajtur, ndërkohë që është i vetëdijshëm edhe për faktin që Egnatia nuk ka fituar asnjëherë përballë durrsakëve para tifozëve të saj, gjë që do të përpiqet ta ndryshojë nesër.

Pavarësisht kryesimit, Tetova sheh gjëra për t’u ndrequr në lojën e skuadrës dhe ndër to është loja mbrojtëse, ndonëse golat e pësuar janë vetëm gjashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat