Lautaro: Treguam Interin e vërtetë

Futboll

Lautaro: Treguam Interin e vërtetë

Më: 1 tetor 2023 Në ora: 12:45
Lautaro

Lautaro Martinez show në stadiumin “Arechi”, aty ku Interi mposhti 0-4 Salernitanën duke vijuar kryesimin e Serie A bashkë me Milanin.

Simone Inzaghi zgjodhi dyshen Thuram-Sanchez në sulm si titullarë, duke vendosur të bënte rotacion si pasojë e takimeve të ngjeshura.

Martinez u fut në fushë në minutën e 55’. Rezultati ishte ende i bardhë, ndërkohë që Kampioni i Botës me Argjentinën realizoi katër golat e zikaltërve.

Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë e kampionatit italian. 26-vjeçari shndërrohet në futbollistin e vetëm që vjen nga stoli dhe shënon “poker” golash.

Kapiteni i Interit kryeson renditjen e golashënuesve në Serie A me 9 rrjeta në 7 takime të luajtura. Pas ndeshjes u shfaq modest, duke theksuar se rëndësi kishte fitorja e skuadrës.

“Salernitana është një kundërshtar i shkëlqyer. Ata ishin në vështirësi dhe ne e dinim që ambienti këtu do të ishte i ndezur nga tifozët. Duhej të vinim këtu për të treguar Interin e vërtetë. Dhe ashtu ndodhi.

Kritikat janë pjesë e profesionit tonë, ne thjesht duhet të zbresim në fushë dhe të tregojmë gjithçka që kemi bërë gjatë përgatitjeve. Skuadra është ajo që ka rëndësi, gjithmonë.

Golat? Kënaqësi e madhe kur vjen goli sepse i jep një dorë skuadrës, por rëndësi ka që fituam dhe jemi ende lart në renditje.

Renditja e golashënuesve ka rëndësi, por unë gjithmonë mendoj për të mirën e skuadrës. Dhe si t’u jap një dorë shokëve. Nëse do të shpallem edhe golashënuesi më i mirë, do të thotë se i kam ndihmuar mjaftueshëm”, theksoi Lautaro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat