Daja: Ky Ballkan nuk dorëzohet kurrë!

Futboll

Daja: Ky Ballkan nuk dorëzohet kurrë!

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 22:39
Daja - majtas

Futboll i bukur, guximtar, modern, gola dhe fitore. Ballkani i Ilir Dajës vijon të konfirmohet në Europë.

Sonte erdhi triumfi 2-0 ndaj Dinamos së Zagrebit në Prishtinë, i pari për skuadrën nga Theranda në grupin C të Conference League. Tekniku nga Tirana foli pas ndeshjes për SuperSport, duke u kërkuar djemve të tij të qëndrojnë me këmbë në tokë.

“Edhe njëherë: e gjithë merita përsëri u shkon lojtarëve të mi. Në këtë kohë me shi, në një terren të rrëshqitshëm për të dy ekipet, ata vunë gjithçka, vunë zemrën, vunë karakterin që nuk dorëzohen kurrë. Merita u shkon lojtarëve.

Sa i përket planit tekniko-taktik, ne e dinim që kishim një ekip goxha të mirë si Dinamo e Zagrebit. Me shumë eksperiencë dhe me lojtarë me nivel goxha të mirë.

Por nuk i lamë shumë shanse të na vinte përpara portës. Edhe pse në disa momente lëshuam goxha territor. Të përballosh Dinamon do të kesh edhe problematika në lojë.

Kishim probleme me Hamidin, ka qenë i dëmtuar. Vetëm në momentet e fundit vendosëm ta mbanim në pankinë, sepse ka patur probleme me dëmtimet për dy ditë. Meqë e kam këtu përgëzoj Zybën për lojën e mirë, përveç gjithë të tjerëve.

Jemi të kënaqur, por do të mundohemi të vazhdojmë me këmbë në tokë. Sepse vetëm me një përkushtim dhe karakter të tillë mundet të zbusim pak diferencat që kemi me ekipet e tjera”, theksoi Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat