Risi në listën e Sylvinhos, afrohet një sulmues nga Serie A

Futboll

Risi në listën e Sylvinhos, afrohet një sulmues nga Serie A

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 00:07
Sylvinho

Kombëtarja, konkurrencë e jashtëzakonshme në çdo repart

Më datë 12 tetor, Shqipëria luan një finale të vërtetë në Air Albania aty ku pret Çekinë.

Një fitore do t’i afronte edhe më shumë kuqezinjtë me Europianin e vitit 2024 që zhvillohet në Gjermani.

Trajneri Sylvinho pritet që gjatë ditës së premte të zyrtarizojë listën me lojtarët e grumbulluar për këtë ndeshje ndërsa nuk mungojnë risitë.

Një i tillë konsiderohet padyshim grumbullimi i sulmuesit që aktivizohet në Serie A me Frosinonen, Marvin Çuni.

22-vjeçari që kaloi këtë verë në elitën italiane nga skuadra e dytë e Bayern Munich, ka fituar minuta dhe është aktivizuar në gjashtë nga shtatë ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Serie A, dy prej të cilave i ka nisur si titullar (ato ndaj Napolit dhe Romës).

Çuni bëhet për herë të parë pjesë e ngjyrave kuqezi ndërsa do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Sylvinho në repartin ofensiv. Ndërkohë, pritet që në këtë grumbullim të rikthehet edhe Armando Broja i cili ka lënë pas dëmtimin dhe në ndeshjen e fundit me Chelsean gjeti edhe rrugën e rrjetës.

Vlen të theksohet se për Brojën do të jetë grumbullimi i parë nën urdhrat e Sylvinhos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat