Sylvinho: Shqipëri me shpirt dhe zemër, nuk më intereson nga vijnë lojtarët

Futboll

Sylvinho: Shqipëri me shpirt dhe zemër, nuk më intereson nga vijnë lojtarët

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 19:41
Sylvinho

Sylvinho foli për ndeshjen me Çekinë në konferencën për shtypin. Kombëtarja kuqezi pret çekët në “Air Albania” të enjten në mbrëmje (20:45), sfidë që do të transmetohet live në SuperSport 2.

Trajneri brazilian i Shqipërisë, preku tema të ndryshme gjatë fjalës së tij. Duke nisur nga gjendja e lojtarëve, kundërshtari, mungesa e Armando Brojës dhe objektivi për t’u kualifikuar në Euro 2024.

“Ndeshja? Siç e tha edhe Gjimshiti, na pret një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por jo vendimtare. Çekia është një skuadër fizike, nuk ka humbur ende, teksa ata kanë pësuar vetëm dy gola. Na pret një punë e madhe, duhet të derdhim shumë djersë. Na presin tri finale, nuk do të jenë të lehta, por jemi gati dhe të përgatitur.

Aspekti psikologjik? Ne i vizitojmë dhe takojmë gjithmonë futbollistët. Takuam Muçin në Varshavë, ikëm në Barcelonë, Londër. E përsëris: jemi të ndërgjegjshëm që kemi bërë mirë deri këtu. Forca e kësaj skuadre është shpirti i garës, zemra që vendosin lojtarët në fushë dhe tifozët. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për entuziazmin e krijuar, por kjo nuk është problem. Nuk kemi pasur shumë nevojë të punojmë psikologjikisht, djemtë janë gati dhe të ndërgjegjshëm për rëndësinë e takimit.

Broja? Kemi bërë dy seanca stërvitore. Më vjen keq, por Broja nuk ia del dot… Është stërvitur shumë pak. Ka një shqetësim fizik, doktori ynë ka qenë në kontakt edhe me doktorin e Chelseat. Më vjen keq, por lojtari nuk luan dot nesër. Kemi lojtarë të tjerë, të cilët duhet t’i menaxhojmë mirë. Gjasula është rikthyer, nuk ka probleme.

Ndeshja më e rëndësishme? Një ndeshje që e menaxhoj si të tjerat. Të gjithë ndeshjet janë të vështira. Kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner, por nuk është vendimtare. Na duhen pikë, duhet të marrim pikë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur objektivit.

Ndeshja? Është shumë e rëndësishme të tregojmë shpirtin dhe zemrën në fushë, për tifozët tanë. Kjo është forca e kësaj skuadre. Dhe kështu do të ndodhë.

Taktika? Pak a shumë e njëjtë me ndeshjen e parë. Ata janë të fortë, janë të fortë në tranzicion, bëjnë zbritje me 5-6 lojtarë. Janë të fortë edhe në goditjet standarte. Duhet të përgatitemi shumë mirë.

Ndeshje jo vendimtare? Skuadra e di se çfarë duhet të bëjë. Është e ndërgjegjshme për situatën ku ndodhemi dhe pritshmëritë ndaj nesh. Nesër hidhet hapi i radhës. Mund të ndodhë gjithçka nesër, por kualifikimi vendoset në nëntor.

Presioni? Ndryshojnë dy gjëra krahasuar me ndeshjen e parë: luajmë në shtëpi dhe kanë mbetur edhe dy takime më pas. Kemi lojtarë me eksperiencë, si Gjimshiti, Hysaj, Strakosha dhe lojtarë të tjerë. Lojtarë që janë mësuar me këto lloj takimesh. Ndihem shumë mirë, njerëzit mbështetin dhe kanë besim edhe te lojtarë si Uzuni, Muçi, Asani. Bajrami dhe jo vetëm.

Më pëlqen edhe fakti që besohet te lojtarët. Njerëzit thonë se kjo është një skuadër e organizuar dhe me vlera. Kjo më gëzon. Në fushë mund të ndodhë gjithçka. Nesër do të shohim një ndeshje shumë të bukur.

Lojtarët nga Kosova te Shqipëria si Daku dhe Muja, do të ketë të tjerë? Jam i fokusuar vetëm te Çekia. Kemi lojtarë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e Veriut, nga gjithë trevat shqiptarë. Pak rëndësi ka nga është origjina e një futbollisti. Nëse lojtarët janë në gjendje të luajnë me ne, kanë cilësitë e duhura dhe e ndjejnë, atëherë mirë se të vijnë. Daku dhe Muja janë lojtarë shumë të mirë, po bëjnë shumë mirë me Shqipërinë.

I kënaqur me barazimin? Nëse nuk fitojmë dot, atëherë barazimi pranohet. Por ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen.

Qazim Laçi, mund të jetë në formacion? Nuk e kemi vendosur ende formacionin, edhe pse është vendosur rreth 80% e titullarëve. Kemi ende për të parë gjendjen e 2-3 lojtarëve. Nesër do të vendosim. Ndoshta e shohim Laçin në fushë, por nuk kemi vendosur ende”, përfundoi trajneri i Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat